Manifestimi është ndjekur nga afër edhe prindërit e studentëve – ndërsa prezent në ceremoni, ishin edhe përfaqësues të komunës së Tetovës dhe Ministrisë së arsimit. Manifestimi ka filluar me intonimin e himnit universitar nga kori i Shkodrës, nën udhëheqjen e mjeshtrit të korit dhe kompozitorit Zef Çoba .
“Jemi sërish sot bashkë për të shijuar nga afër një fryt që të gjithë ne e kultivuam bashkërisht, për një shoqëri nuk ka krenari më të madhe se sa t`ia dhurosh të sotmes dhe të ardhmes energjinë e një brezi që po edukohet në frymën e zhvillimit modern të arsimit siç pretendon të jetë edhe Universiteti ynë. Që nga themelimi me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtar dhe me mënyrën se si ky universitet frymon por edhe me ndikimin që të diplomuarit tanë kanë në shoqëri ka dëshmuar përkushtimin e vazhdueshëm për ti shërbyer promovimit të dijes dhe përparimit. Më vjen mirë që sot pas 14 vitesh, të deklaroj përfundimisht të realizuar edhe mbështetjen financiare të Universitetit drejtë për drejtë nga buxheti i shtetit”, tha rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika.
Edhe ministri për Arsim dhe Shkencë Abdilaqim Ademi, mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 11-të.
- Unë sot ndjehem i privilegjuar, sepse më jepet mundësia të paraqitem para studentëve të diplomuar në Universitetin e radhitur në mesin e Institucioneve më të mira të arsimit të lartë në vend dhe rajonin më të gjerë, tha Ademi, duke theksuar se ky Universitet është edhe promotori i ndryshimeve dhe ideve përparimtare për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë.
Ndjehem i sigurt, theksoi Ademi, se e ardhmja e kombit shqiptar në Maqedoni është në duart të njerëzve të ditur, të talentuar dhe që do të mund të përballen me sfidat e kohës, si dhe të jenë të barabartë në çdo arenë të jetës shoqërore me bashkëmoshatarët e tyre në vendin tonë por edhe në vendet tjera.
“Stafi ynë akademik ka zhvilluar një institucion unik të arsimit të lartë këtu në Republikën e Maqedonisë, ata ju kanë dhënë arsim të krahasueshëm me atë në vendet e tjera evropiane, dhe ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë jo vetëm për të mirën tuaj, por për të mirën e të tjerëve”, tha në fjalimin e tij, kryetari i Bordit të Universitetit, Prof. Dr. Denis Farington.
Në emër të studentëve të gjeneratës, foli Adelina Asani, nga Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë, e cila i falënderoi prindërit dhe profesorët për përkrahjen e dhënë.
“Mbyllëm një kapitull në jetën tonë, por libri është ende i papërfunduar. Universiteti i Evropës Juglindore na pajisi me letra dhe lapsa, që ne të mund të vazhdojmë të shkruajmë kapitullin e ardhshëm, dhe të bëjmë librin tonë “bestseller”.Në këtë rrugëtim, kemi ende shkallë për t’u ngjitur. Ky është vetëm fillimi.”, theksoi Adelina Asani
Studentëve më të mirë, të zgjedhur nga secili fakultet me notë mesatare 10.00, ia dha e veçantë, e cila do t’u shërbejë në karrierë.
