Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në UEJL në Shkup

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të enjten (22 janar), ne Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup, mbajti një takim me studentë,profesorë, publicistë dhe gazetarë.

Në takim ishte i pranishëm kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Denis Farington, rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika dhe anëtarë të tjerë të menaxhmentit të UEJL-së.

Prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare i UEJL-së, Prof. Dr. Blerim Reka, duke folur për rëndësinë e e kësaj vizite dhe praninë e z. Thaçi në UEJL, ministrin e jashtëm e cilësoi atë si faktor pa të cilin sot nuk zhvillohet asnjë proces politik në Kosovë.

Pjesëmarrësit në debat e kanë pyetur zëvendëskryeministrin e Kosovës për situatën e shqiptarëve këtu dhe në Kosovë, si dhe për vizitat e shpeshta të krerëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova në Maqedoni. “Natyrshëm se kemi një bashkërendim të hapave të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në kuadër edhe të bashkëpunimit vëllazërorë dhe institucional, por edhe në kuadër të kujdesit për shqiptarët në Maqedoni, Luginë dhe Mal të Zi. Ne, sot u pajtuam për dy vendime të rëndësishme, mbledhja e qeverive të dy vendeve dhe lëvizje me letërnjoftime, pa pasaporta”, tha Thaçi,

Gjatë debatit në UEJL nga studentët z. Thaçi është pyetur lidhur me situatën politike në Maqedoni dhe përfaqësimin e shqiptarëve në Qeveri.

“Shqiptarët këtu janë mbi 30 për qind, nuk janë pakicë, por shtetformues. Çfarëdo qeverie që është kundër shqiptarëve është qeveri kundër Maqedonisë, se ky shtet s’ka të ardhme pa bashkëpunim apo miratim të shqiptarëve. Në lidhje me gjendjen e shqiptarëve, ne sot jemi më mirë se kurrë dhe duhet të bëjmë maksimumin për ta shfrytëzuar këtë klimë pozitive”, tha Thaçi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës u kërkoi liderëve shqiptarë në Maqedoni që të transferojnë selitë e partive të tyre në Shkup, që të jenë pranë vendimmarrjes së këtij shteti.

Google+