Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, do të bashkëpunojnë në fushën e hulumtimit shkencor, duke krijuar edhe grupe të përbashkëta pune, ku priten edhe rezultate konkrete. Kjo ishte vetëm një segment i marrëveshjes së bashkëpunimit, që u nënshkrua të mërkurën (10 dhjetor 2014), nga rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika dhe rektori i Universitetit të Mitrovicës, Prof. Asoc. Alush Musaj.
“Universiteti ynë ka shumë fusha, në të cilët mund të përcjellë përvojën dhe ekspertizën dhe nga ana tjetër Universiteti i Mitrovicës edhe pse relativisht i ri ka një eksperiencë të gjatë dhe është i specializuar në fushën e inxhinierisë, sepse më herët ka funksionuar si fakultet i disperzuar i Universitetit të Prishtinës”, theksoi rektori Dika.
“Ne e shohim UEJL-në si universitet me renome dhe përvojë, por edhe si universitet shumë të ngjashëm me universitetin tonë sa i përket profilit të fakulteteve dhe drejtimeve studimore. Prandaj nënshkrimin e kësaj marrëveshje e konsiderojmë si akt të rëndësishëm në bashkëpunimin tonë të mëtutjeshëm”, tha mes tjerash rektori i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Alush Musaj.
