Lidhur me faktin që procedura e re e cila promovohet në Ligjin e procedurës penale është procedurë akuzatore, por edhe nga fakti se këto reforma të legjislacionit penal janë realizuar sipas shembullit të procedurës penale të SHBA-ve, ditë më parë (21 nëntor), i ftuar kryesor që të ligjërojë në temën “Ligji i ri i procedurës penale dhe procedura akuzatore e promovuar aty”, para studentëve të Universitetit të Evropës Juglindore ishte Z. Mark Lasser, këshilltar i lartë për çështje juridike në ambasadën amerikane në Shkup, që u organizua nën patronatin e kryetarit të Bordit, Prof. Dr. Dennis Farrington.
Z. Lasser sqaroi në pika kryesore parimet kryesore të procedurës penale akuzatore, mënyrën se si zhvillohet ajo. Ai, gjithashtu foli gjerësisht për rolet e veçanta të palëve procedurale dhe të trupit gjykues. Sipas tij, qëllimi kryesor i këtij lloji të procedurës penale është që trupi gjykues të sigurohet tërësisht se nuk do të shpallet fajtor një person i pafajshëm. Ai citoi një thënie të njohur e cila thotë “Më mirë të lirohen dhjetë të fajshëm se sa një i pafajshëm të shpallet fajtor”. Lasser theksoi se thelbi i procedurës akuzatore është barazia e palëve dhe lufta e ashpër në argumentimin mes tyre.
Prof. Farrington, bëri disa komente lidhur me këtë ligj (i cili ka hyrë në fuqi në dhjetor 2013), kurse prorektori për çështje akademike dhe profesor i së drejtës së procedurës penale, Prof. Dr. Ismail Zejneli theksoi faktin se ky ligj paraqet ndryshim radikal në procedurën penale në RM, e cila deri më tani ishte e karakterit inkuizitor dhe tani shndërrohet në procedurë me karakter akuzator, karakteristike për vendet me sistem anglo-sakson.
Të pranishëm në këtë ligjëratë ishin studentët, gjykatësit, prokurorët, avokatët dhe punonjës të tjerë në sferën e drejtësisë.
Ky takim është i rëndësishëm për thellimin e një bashkëpunimi shumë të rëndësishëm në mes të Fakultetit Juridik dhe Zyrës për çështje juridike të ambasadës amerikane, të cilët janë të gatshëm për të ndihmuar edukimin universitar dhe praktik në shkencat juridike.
