Se si ka ndryshuar bota dhe çfarë është realiteti në Ballkan një shekull pas fillimit Luftës së Parë Botërore, ishte tema kryesore e debatit në konferencën e organizuar në Shkup, me titull "Ballkani 100 vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore", që u mbajt në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL).
Konferenca mblodhi një sërë folësish, si diplomatë, profesorë, hulumtues, të cilët reflektuan në ndryshimin e realitetit politik dhe të sigurisë në këto 100 vjet.
"Unë jam i prirë të besoj se Historia do të nxjerrë në pah të djeshmen vetëm me një shfletim të kujdesshëm të atyre ngjarjeve që lanë vulën e tyre nëpër kohë ", tha moderatori i konferencës, Demush Bajrami.
“Ky njëqindvjeçar, doemos duhet të na udhëzojë drejt ndërtimit dhe forcimit të institucioneve tona për të punuar në edukimin e gjeneratave të reja, të cilët duke njohur të kaluarën do të mund më lehtë të ndërtojnë të ardhmen”, theksoi ndërmjet tjerash, rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr Zamir Dika, i cili ndau panelin e hapjes së konferencës me ambasadorin e britanik në Maqedoni, Charles Garrett, ambasadoren gjermane, Gudrun Steinacker, ambasadorin austriak, Tomas M. Baier, ambasadoren franceze, Laurence Auer, drejtorin e ICID ngaTirana, Dr. Reis Mulita, drejtorin e IPIS-Shkup, Dr. Ylber Sela, kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe kryetarin e Klubit Alpbach, Pishtar Lutfiu.
Konferenca u organizua nga Universiteti i Evropës Juglindore, ICID dhe Klubi Alpbach Maqedoni me mbështetjen dhe partneritetin e Komunës së Çairit, Ambasadës austriake dhe Ambasadës gjermane, në Shkup.