Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Në UEJL mbahet konferencë shkencore për “Letërsinë krijuese...”

Konferenca ka tubuar emra të njohur të letrave shqipe si Besnik Mustafaj, Jusuf Buxhovi, Agron Tufa, etj.

“Letërsia krijuese dhe qasjet kritike ndaj letërsisë", është tema bosht e konferencës dyditore shkencore, që filloi punimet sot (25 prill 2014) në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Konferencën e shpalli të hapur, kryetari i Bordit të Universitetit, Prof. Dr. Denis Farington, kurse fjalimin kryesor e mbajti këshilltari i rektorit, Prof. Demush Bajrami.

“Nuk mund të mos e fshehim gëzimin tonë që gjatë këtyre dy ditëve në mesin tonë do të ndodhen edhe disa nga penat e shquara të letrave shqipe, që aktualisht po na nderojnë me veprat e tyre, jehona e të cilave po shkon gjithkund ku ka nevojë më së shumti të flitet për ne si shoqëri dhe si komb”, tha Bajrami.

Konferencën e përshëndeti edhe dekani i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, Prof. Dr. Benxhamin Kiting

Kryesuesja e këshillit organizativ të kësaj konference Doc. Dr. Vlera Ejupi, ndërmjet tjerash tha se kjo konferencë mbledh koka të shquara të letërsisë shqipe, dhe të huaj, ku do të debatohen tema të ndryshme të realitetit shqiptar, duke u nisur që nga fillet e letërsisë shqipe dhe njëkohësisht edhe të letërsisë botërore, që nga e kaluara e deri më sot.

Për rëndësinë tematike të konferencës tematike foli shkrimtari dhe profesoriuniversitar Agron Tufa, i cili vuri në spikamë rolin e letërsisë dhe të shkrimtarit sot, në sfidën e përballjeve me ideologjinë e kohës. “Askush nuk e ndalon shkrimtarin të shkruajë dhe të flasë për veprën e vet”, tha ai.

Në kuadër të konferencës u bë promovimi i librit “Jeniçeri i fundit”, të shkrimtarit Jusuf Buxhovi.

Duke folur për librin, autori Jusuf Buxhovi, tha se ndjehet mirë në këtë universitet të rëndësishëm evropian, ku shkrimtarë e publicistë të njohur kanë bërë promovimin e veprave te tyre.

Libri “Jeniçeri i fundit”, trajton një moment të caktuar historik të Perandorisë Osmane dhe në veçanti momentet e fundit të shkatërrimit të formacionit ushtarak jeniçerët.

“Lidhja e jeniçerëve dhe shqiptarëve është shumë e dukshme, pasi shqiptarët e kanë krijuar këtë formacion të fuqishëm ushtarak dhe nëpërmjet këtij formacioni kanë arritur të ngjiten ne majat e hierarkisë udhëheqëse osmane”, tha Jusuf Buxhovi.

Për rëndësinë e romanit, foli kritiku letrar Ramadan Musliu, i cili cilësoi si “një roman – katarsë dhe një “roman për vetën dhe për historinë që përsëritet”.

Në kuadër të konferencës, po ashtu u hap edhe ekspozita e piktores së njohur shqiptare Zake Prelvukaj.

Google+