Me vendim të senatit të Universitetit të Evropës Juglindore të premten (28 mars 2014), u shpall konkursi për regjistrimin e studentëve për vitin akademik 2014-2015. Rektori i Universiteti, Prof. Dr. Zamir Dika në konferencën për gazetarë, me këtë rast, tha se konkursi është i integruar, i cili në vete i përmban të tre ciklet e studimit, deridiplomike,të magjistraturës (master) dhe studimet e doktoraturës.
“Këtë vit akademik do të ofrojmë 17 programe deridiplomike, 34 programe të ciklit të dytë apo master sipas modelit 3 plus 2 dhe modelit 4 plus 1. Vazhdojmë të mbesim të vetmit në rajon duke ofruar edhe programe online, katër programe studimore në cilin e parë dhe të dytë të studimeve. Gjithashtu, këtë vit fillojmë me konkursin e dytë të realizimit të studimeve të doktoraturës, përmes shkollës së doktoraturës dhe atë kemi hapur 9 programeve studimore të akredituara të doktoraturës apo ciklit të tretë”, tha Dika.
Në vitin e ri akademik në UEJL, pritet të regjistrohen rreth 1 mijë e 300 studentë, numër ky i përcaktuar në relacion me kuadrin që ofron universiteti, në pajtim me standardet ndërkombëtare për raportin student-profesor.
“Vazhdojmë të realizojmë konkursin përmes 5 fakulteteve të UEJL-së, edhe atë fakulteti i Administrimit dhe Biznesit, Fakulteti i Shkencave dhe Teknologjisë Bashkëkohore, Fakulteti i Administrimit Publik dhe Shkencave Politike, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit”, u shpreh Prof. Dr. Zamir Dika – rektor i UEJL-së.
