Lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi ditën edjeshme rreth orës 16:00, në Himarë, ku një autobus me studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” ka rënë nga 80 metra lartësi në vendin e quajtur Ura e Vishës, duke gjetur vdekjen 13 studente dhe studentë, kurse 26 studente të tjera janë plagosur, rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. dr. Zamir Dika, i ka dërguar një telegram ngushëllimi kryeministrit të Shqipërisë, Prof. dr. Sali Berisha dhe rektorit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. dr. Liman Varoshi, duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin e tij për familjarët e kësaj tragjedie.
“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për aksidentin e rëndë ku humbën jetën 13 studente dhe studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Kjo tragjedi na ka shokuar të gjithëve. Në këto momente të vështira, në emër të stafit dhe studentëve të Universitetit të Evropës Juglindore ju shpreh ngushëllimet e mia dhe solidaritetin të gjithë familjarëve dhe qeverinë shqiptare, njëherësh duke ju uruar shërim sa më të shpejtë studenteve të plagosura në këtë aksident”,thuhet në telegram ngushëllimin e rektorit Dika.
