Ngjarjen solemnisht e hapi rektori i UEJL-së Prof. Dr. Zamir Dika, i cili tha se që nga ideja për këtë projekt, ne si universitet e kemi përkrahur sepse pikërisht kjo temë është në vijë me planin strategjik të universitetit – atë të tendencës që UEJL të shndërrohet në Universitet të gjeneratës së tretë të universiteteve.
“Pikërisht kjo iniciativë dhe kjo ngjarje e këtij vikendi, ku do të ngërthehen eksperienca akademike në fushën e ndërmarrësisë, ku do të dëgjojmë praktikat ndërmarrëse nga kompani të suksesshme, e në gjithë këto aktivitete, në qendër do të jenë studentët, për t’i pajisur ata me këtë shkathtësi të rëndësishme jo vetëm për karrierën e tyre personale, por që përfaqëson edhe një element të rëndësishëm që mund të jetë garanci e progresit të shoqërisë sonë”, tha mes tjerash rektori Dika.
„Sipërmarrësia kërkon inovacione dhe ide të biznesit, të cilat janë të freskëta, në mënyrë që të prodhohen në mënyrë më ekonomike të mirat ekonomike. Prandaj, pikërisht arsimimi është zinxhir kryesor ku duhet të mësohet të mendohet në frymën sipërmarrëse”, tha ministri i Ekonomisë në Qeverinë e Maqedonisë, Valon Saraqini.
Prorektori i UEJL-së për planifikim dhe zhvillim Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, ndau certifikata për studentët të cilët kanë marrë pjesë në trajnimin “Përpunimi dhe implementimi i planit të biznesit“.
Në këtë aktivitet prezantuan Shefki Idrizi, pronar i kompanisë RENOVA, Muharem Murtezani pronar i kompanisë ALMA -М, Shkup, Xhemail Dauti pronar i kompanisë DAUTI KOMERC dhe Beqir Çerkezi pronar i kompanisë ALPINA – NB – Tetovë.
Të nesërmen studentët u njohen me mënyrën e krijimit të planit të biznesit, ndërsa më të mirët u shpërblehen me dhuratë për idenë më të mirë të biznesit nga ministri i arsimit dhe shkencës Pançe Kralev dhe ministri i ekonomisë Valon Saraqini.
