Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U promovua libri për dhjetë vjetorin e marrëveshjes së Ohrit

“Dhjetë vite, Marrëveshja Kornizë e Ohrit - A funksionon Maqedonia si shtet shumetnik” është titulli i librit, që u promovua, të enjten (22 dhjetor 2011), në Universitetin e Evropës Juglindore.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, i falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë dhe punën e bërë për botimin e këtij libri.

“Politika dhe akademia kanë qasje të ndryshme për proceset e ndryshme. Në këtë libër është prezantuar një qasje akademike mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe këtë qasje e kanë përkrahur edhe përfaqësuesit politik”, tha rektori Dika.

Në promovimin e librit ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Muza Xhaferi, i cili e vlerësoi lartë këtë libër, duke e cilësuar atë si vështrim i mirëfilltë analitik.

“Marrëveshja e Ohrit është një proces, proces i cili filloi pas vitit 2001 dhe i cili zgjat dhe do të zgjas akoma. Për shkak se ky është një proces i demokratizimit të përgjithshëm të shoqërisë në Maqedoni dhe njëkohësisht afrimi i shtetit dhe institucioneve të sistemit ndaj të gjitha komuniteteve etnike në vend”, tha zëvendëskryeministri Musa Xhaferi.

Prorektori për hulumtime i UEJL-së, Prof. Dr. Blerim Reka, tha se me botimin e këtij libri po rrumbullakohet projekti njëvjeçarë hulumtues i UEJL-së në tre vëllime, në shqip, maqedonisht dhe anglisht.

“Ky libër përmban kontributet edhe të akademikëve dhe diplomatëve vendor, rajonal dhe ndërkombëtarë si dhe ndërmjetësuesve të jashtëm të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, tha prorektori Reka.

Botimi i librit është rezultat i projektit hulumtues, i cili është financuar nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Ambasada e SHBA-ve, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasada e Suedisë.

Libri përmban punime hulumtuese, të prezantuara në konferencën për Marrëveshjen e Ohrit, që u mbajt në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe ku morën pjesë disa nga nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje.

Google+