Vizita është realizuar në kuadër të programit për Rajonin e Pollogut, të iniciuar nga Organizata GTZ, për një bashkëpunim me te ngushte ndërkufitare në mes Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, gjegjësisht rajoneve kufitare përreth Malit Sharr.
Në kuadër të delegacionit kosovar ishte edhe zëvendësministri i administrimit të pushtetit lokal i Kosovës, Basri Musmurati, kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemal Mustafa dhe kryetarë të tjerë të komunave kosovare.
Delegacionin e priti rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, i cili bëri një prezantim të shkurtër të Universitetit tonë, duke veçuar rolin që ky universitet ka në rajon si model i arsimit të lartë. Ai, po ashtu i njoftoi të pranishmit me strukturën e studentëve, duke theksuar praninë e studentëve nga Kosova dhe angazhimin e tyre në të gjitha aktivitetet që organizohen.