Personalisht unë e mbështes shprehjen e lirë dhe debatin konstruktiv për arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë. Megjithatë, qasja ndaj standardeve evropiane në çdo kuptim kërkon një nivel shumë më të lartë të analizës se sa ajo që është treguar në shkrimet e fundit në të përditshmen Lajm. Si do që të jetë Universiteti i Evropës Juglindore nuk do t’i ndryshojë politikat qeverisëse për t'iu përgjigjur gazetarëve keq të informuar, thjeshtë për të rritur numrat. Që nga vitit 2001, qëllimi ynë ka qenë që të sigurojmë një arsim të lartë mirë të menaxhuar, të qëndrueshëm, me kosto efektive, të arritshëm për të gjithë studentët e interesuar dhe të kualifikuar në përputhje me standardet bashkëkohore evropiane dhe ndërkombëtare. Ne bëjmë këtë në një mjedis shumetnik, shumëkulturor dhe ç’është më e rëndësishmja shumëgjuhësor, me theks të veçantë në zhvillimin e shkathtësive në gjuhën angleze, e cila për të patur sukses në Evropë, sot është absolutisht thelbësore dhe UEJL këtë e realizon nëpërmjet Qendrës së Gjuhëve që ka stafin dhe burimet më të mira. Të dhënat tona statistikore të publikuara për punësimin e studentëve tanë tregojnë se studentët e përkushtuar janë në gjendje të shfrytëzojnë përparësinë e plotë të njohurive dhe aftësive që ata i zhvillojnë në UEJL. Ne funksionojmë të lirë nga ndikimi i politikës, me një prani të fortë ndërkombëtare si në stafin menaxherial ashtu edhe në atë akademik. Jemi të përkushtuar që të mbajmë marrëdhënie të mira me të gjitha universitetet në rajon; kurrë nuk i kemi kritikuar dhe nuk do t’i kritikojmë universitetet tjera.
Shkrimet e fundit në Lajm, janë të përqendruara në numrin e studentëve që regjistrohen ose e lëshojnë UEJL-në për çdo vit, me theks të veçantë për Universitetin Shtetëror të Tetovës, si një institucion tjetër, ku studentët dëshirojnë të hyjnë. Studentët e mundshëm bëjnë zgjedhjen e tyre të lirë se në cilin institucion do të regjistrohen, bazuar në konceptin e tyre se çfarë është në interesin më të mirë të tyre në periudhën afatgjate. Arsimi i lartë është një investim afatgjatë dhe jo thjeshtë sa për të marrë një diplomë pas tre ose katër viteve. Numri i studentëve të regjistruar në një vit të caktuar në çdo institucion varet nga një numër faktorësh, duke përfshirë numrin e vendeve të lira në universitetet publike nëpërmjet politikës së disperzimit, gjendjen e përgjithshme ekonomike në vend dhe programet akademike tërheqëse me relevancë afatgjate për punësim. Unë do të argumentoj faktin se nga përpjekjet për të rritur numrat e studentëve pa mos e patur parasysh cilësinë, nuk do të përfitojë as institucioni, por as edhe studentët. Duke humbur tre ose katër vjet në marrjen e kualifikimeve të dyshimta pasojat do të ishin të dukshme.
Studentët i lëshojnë universitetet për një sërë arsyesh. Jo të gjithë mund të jenë të suksesshëm në fushën e tyre të zgjedhur. Nëse studentët nuk i plotësojnë standardet e kërkuara për të marrë një kualifikim në UEJL, ose nëse dëshirojnë të ndryshojnë fushën e studimit, ata janë të lirë për të ndjekur studimet e tyre në institucionet e tjera dhe ne ju dëshirojmë atyre gjithë të mirat. Kjo është krejtësisht normale dhe e pranueshme në të gjitha vendet evropiane dhe unë e mbështes plotësisht të drejtën e studentëve për të bërë zgjedhje të mirë për të ardhmen e tyre afatgjate.
UEJL, tani mirëpret aplikimet nga të gjithë studentët e interesuar të cilët dëshirojnë të ndjekin arsimin e tyre të lartë në një mjedis modern, me cilësi të lartë, ku në rend të parë janë interesat e tyre për të ardhur në UEJL.
