Një delegacion i Universitetit të Evropës Juglindore, i përfaqësuar nga rektori, Prof. Dr. Zamir Dika, rektori emeritus, akademik Alajdin Abazi dhe Luan Eshtrefi, shef i Zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare, më 31 mars 2011, ka realizuar një vizitë në Ankara të Turqisë, ku ka marrë pjesë në Kuvendin e parë të Përgjithshëm të Këshillit Universitar Ndërkombëtar (KUN).
Në fjalimin e tij, Rektori Dika theksoi se Këshilli Universitar Ndërkombëtar, duhet të përqendrohet në tendencat e reja në arsimin e lartë, duke inkorporuar përvojën evropiane, amerikane dhe atë kombëtare. Ai, tha se anëtarët e KUN-së, duhet t’i identifikojnë vlerat kombëtare dhe t’i vendosin ato në ballë të ndryshimeve në arsimin e lartë. Këtë duhet ta bëjë, duke dhënë shembullin e një fokusimi të ri në programet akademike, që shfrytëzojnë mësimin elektronik (E-learning).
Këshilli Universitar Ndërkombëtar ka rreth 100 universitete anëtare nga e gjithë bota dhe do të përqendrohet në bashkëpunimin e ndërsjellë në arsimin e lartë. UEJL u bë anëtar i këtij këshilli në mars të vitit 2011.
