“Politika dhe politikat publike” ishte tema e librit të Prof. dr. Jonuz Abdullai, që u promovua të premten (26 nëntor 2010), në UEJL.
Në cilësinë e redaktorit të librit, foli Demush Bajrami, i cili theksoi rëndësinë e këtij libri për politikanët dhe studentët në veçanti.
“Autori ka përdorur një metodologji, e cila e bënë librin të kuptueshëm dhe rrjedhimisht të dobishëm për të gjithë. Libra të këqij nuk ka, por ka libra, të cilët lexohen, të cilët lexohen e shfrytëzohen dhe libra të cilët mbeten të pluhurosur në sirtarë”, tha Demush Bajrami.
Recensentja e librit, Edlira Haxhiymeri, tha se ne shqiptarët punojmë dhe kontribuojmë shumë në shkencë, por fatkeqësisht shumë pak nga ne marrim guximin dhe punën tonë e publikojmë.
“Autori ka përvojë politike dhe akademike. Ai këtë e ka gërshetuar në librin e tij, duke e bërë librin edhe më të vlefshëm për lexuesit”, tha Edlira Haxhiymeri.
Recensenti, Ram Buja foli për rëndësinë e librit në politikën shqiptare. “Libri paraqet një kapital të veçantë në hapësirën politike shqiptare”, tha Buja
Autori i librit, Prof. dr. Jonuz Abdullai, pasi i falënderoi të pranishmit, tha se libri paraqet një vepër të përbashkët për të gjithë ata, që në një farë mënyre kanë qenë të kyçur në përgatitjen e të njëjtit.
“Jam i kënaqur që nëpërmjet librit kam arritur të ndërtojë trekëndëshin Prishtinë-Tetovë-Tiranë”, tha prof. dr. Jonuz Abdullai.