Në të njëjtën kohë, UEJL ka kremtuar edhe 9 –vjetorin e themelimit, duke bërë edhe promovimin e doktorëve të shkencave, që kanë doktoruar gjatë vitit akademik 2009/2010. Rektori i UEJL-së, Prof. dr. Zamir Dika, tha se muaji nëntor është i mbushur me data të rëndësishme të historisë tonë. Ai tha se, në këtë ditë ne shënojmë: ditën e themelimit tëUniversitetit tonë, ndajmë titullin Doctor Honoris Causa, promovojmë gjeneratën e doktorëve të shkencave, të cilët kanë doktoruar në Universitetin tonë brenda vitit akademik 2009/’10 dhe ditën e shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe që ishte rrjedhojë e Kongresit të Manastirit.
“Ndoshta, është krejt rastësi, por ja që ditëlindja e Universitetit tonë puqet me datën e shënuar të Kongresit të Manastirit. Në misionin themelues të universitetit është ravijëzuar përkushtimi për të promovuar gjuhën shqipe në arsimin e lartë, krahas përpjekjeve për arritjen e përsosmërisë në mësim dhe hulumtim, krijimin e mundësive të barabarta në një mjedis të hapur dhe me perspektivë ndërkombëtare brenda një komuniteti shumëgjuhësor dhe shumëkulturor”, tha rektori Dika.
Duke folur për ecurinë e universitetit, me rastin e shënimit të 9–vjetorit të themelimit, rektori Prof. dr. Zamir Dika, theksoi se është viti i nëntë i bërjes realitet të UEJL-së me një shtrirje që e bën atë institucion të mirëfilltë të arsimit të lartë, me mbi 7000 studentë në të tre ciklet e studimit dhe me rreth 5000 të diplomuar. Universiteti ynë disponon me një staf të kompletuar akademik nga vendi dhe rajoni.
Në këtë sallë ndodhen përfaqësuesit e themeluesve të kësaj vepre madhore, të shprehur përmes përfaqësuesve të shteteve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve, por edhe përfaqësuesve të Qeverisë dhe komunitetit rajonal. Kjo natyrë e themelimit na mundëson që të realizojmë misionin tonë, duke këmbëngulur në krijimin e kuadrove të aftë, të cilët janë të çmuar nga punëdhënësit, shoqëria dhe që janë konkurrues në tregun global, tha mes tjerash rektori i UEJL-së, Prof. dr. Zamir Dika.
Kryetari i Bordit të Universitetit, Dr. Denis Farington (Dennis Farrington), duke folur për akademikun Alajdin Abazi, tha se te doktori ynë i nderit gjejmë njeriun, i cili ka luftuar për të ruajtur këto parime kryesore gjatë gjithë jetës së tij profesionale. Shumica prej jush në këtë audiencë jeni më të kualifikuar se unë për të komentuar mbi historinë e arsimit të lartë në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi.
“Ai, ndanë me mua dhe të gjithë të tjerët që janë të lidhur me themelimin e këtij Universiteti, një besim të fortë se, një qasje jopolitike, shumë-kulturore dhe shumëgjuhësore në arsimin e lartë në një mjedis të planifikuar me kujdes dhe cilësor, është e vetmja rrugë që e shpie përpara brezin e ri të Maqedonisë, edhe nëse kjo nuk është e mbështetur nga asgjë më tepër se një retorikë e autoriteteve të shtetit”, tha Dr. Denis Farington.
Akademik Alajdin Abazi, pasi falënderoi stafin akademik të UEJL-së për këtë çmim, foli për sfidat e reja të arsimit në shekullin XXI.
“Studentët, që sot studiojnë, ose ata që kanë studiuar prej vitit 2000, pjesën më të madhe të jetës së tyre, do ta kalojnë në shekullin XXI. Ata, do të përballen me sfidat e një kohe që shumë dallon nga ato të shoqërisë së shekullit XX, që formuan jetën e stafit të tyre mësimdhënës. Shtrohet pyetja: sa do të jenë në gjendje universitetet, siç janë tani të përgatitur, t’i edukojnë qytetarët, që t’i shërbejnë shoqërisë së ardhshme të shekullit XXI, që do të dallohen radikalisht edhe pse këto institucione njihen në histori si institucione më stabile të qytetërimit, më të afta dhe me kapacitet që të ndërrohen dhe të adaptohen me qëllim të një shërbimi adekuat të shoqërisë”, tha mes tjerash në fjalimin e tij, akademik Alajdin Abazi.
Prorektori për çështje akademike (Provosti), Prof. dr. Pol Foster (Paul Foster), duke iu drejtuar doktroantëve, tha se ne jemi bartësit e një tradite akademike nga kohërat më të hershme në histori, pra, të transmetimit të njohurive. Ne, gjithmonë duhet të përpiqemi t’i mësojmë studentët tanë, ashtu siç ne ishim mësuar nga profesorët tanë.
“Doktoratura nuk jepet –ju duhet ta fitoni atë! Duhen vite të tëra të përgatitjeve në leksione dhe më pas, hulumtime nëpër biblioteka të pluhurosa, punë në terren në vende të largëta, larg nga komforti i shtëpisë dhe nga të dashurit tanë. Ne, mjaft kemi sakrifikuar për t’i arritur qëllimet tona”, tha prorektori Pol Foster.
Në kuadër të kësaj ceremonie u zbulua edhe pllaka e vendosur në amfiteatrin e madh të UEJL, e cila tash e tutje do të mbaj emrin e rektorit të parë të UEJL-së, Alajdin Abazi.