
“Vitin e ardhshëm, do të shënoni dekadën e parë të themelimit të UEJL-së – një moment historik për këtë universitet dhe një mundësi për arsimin e lartë në këtë shtet dhe rajon”. Më lejoni, tha ai, po ashtu ta uroj rektorin e ri, Zamir Dika, për postin e ri dhe për arritjet dhe udhëheqjen e rektorit emeritus Alajdin Abazi.
“Transferimi i udhëheqësisë nga rektori themelues tek rektori i ri ishte një model i transparencës dhe profesionalizmit”, tha ambasadori Riker.
Duke folur për temën, ambasadori Riker tha se në Samitin në Lisbonë Aleanca do t'i ripërcaktojë prioritetet e saj në pajtim me sfidat globale.
"Nëse në Samitin e NATO-s në Uashington të mbajtur në vitin 1999 prioritet ishte Ballkani, në Lisbonë temë kryesore, do të jetë angazhimi i forcave të NATO-s në Afganistan", theksoi ambasadori Riker.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, vlerësoi se intervenimet e NATO-s në Ballkan - Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia kanë kontribuar për stabilizim dhe kthim të paqes dhe mundësi që vendet në rajon t'i realizojnë qëllimet e tyre për anëtarësim në NATO dhe BE.
"Për Maqedoninë nuk ka alternativë tjetër përveç se në NATO dhe BE dhe për këtë duhet që të gjitha partitë politike në shtet, institucionet shkencore, sektori joqeveritar dhe i gjithë opinioni të japin kontribut në ndërtimin e konsensusit të qëndrueshëm politik dhe etnik", tha Ahmeti. Prorektori për hulumtime dhe promovim i UEJL-së, Prof. dr. Blerim Reka, theksoi se stabiliteti i brendshëm politik me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe zgjidhja e problemit me Greqinë rreth emrit janë dy kushtet kryesore për integrimin e Maqedonisë në NATO. “Integrimi në NATO do të thotë të jemi pjesë e familjes së madhe që siguron paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në botë”, tha prorektori Blerim Reka.
Për profesor Andrej Lepavcovin është vështirë të bëhet kompromis, por një kompromis i tillë duhet të arrihet.
"Maqedonia duhet të vazhdojë me reformat edhe në sektorin ushtarak, por edhe në fushat e tjera për shkak se Aleanca nuk është vetëm lidhje ushtarake, por edhe bashkësi e vendeve me vizione të përbashkëta për sundimin e të drejtës dhe shoqërisë qytetare funksionale", tha ai.