Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U mbajt ora e parë akademike

Me një ceremoni rasti, të hënën (20 shtator 2010), Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë shënoi fillimin e vitit të ri akademik 2010/2011. Në “orën e parë akademike”, mirëseardhje studentëve u dëshiroi rektori i UEJL, Prof. dr. Zamir Dika, i cili tha se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për studentët dhe vetë universitetin.

“Nëse ju do të keni probleme gjatë studimeve atëherë fajtori kryesor jam unë”, tha rektori Dika, duke u garantuar studentëve se gjatë studimit universiteti do të ofrojë metodologjinë më të mirë të studimit, profesorët më të mirë, mjedisin më bashkëkohorë në rajon dhe se “studenti këtu tek ne është në qendër të vëmendjes”.

“Ne, e dimë si t’ju bëjmë të veçantë. Prej jush kërkojmë që të bëheni studentë të mirë, të vyeshëm, të interesuar dhe kureshtar, të pyesni, të jepni vështrim kritik dhe të jeni aktiv në mësim. Nëse bashkërisht dhe me përgjegjësi i luajmë rolet tona ashtu siç duhet, atëherë ju siguroj se prej këtij amfiteatri do të dalin liderë të mençur, menaxhues të suksesshëm të bizneseve, profesionistë të dalluar dhe mbi të gjitha qytetarë të denjë, për të Evropës së re të bazuar në dije” tha rektori Dika.

Në emër të Zyrës së Provostit, mirëseardhje studentëve u dëshiroi prorektori për çështje akademike, Pol Foster.

“Ne, administrata e Universitetit dhe stafit akademik zotohemi se do të vëmë në radhë të parë interesin tuaj dhe do të ju ofrojmë shërbime dhe programe akademike të klasës së parë. Kjo është detyra jonë për ju. Kurse nga ana tjetër, ju duhet të zotoheni se do të jeni të ndershëm, të ndërgjegjshëm dhe studentë punëtor – do të merrni pjesë rregullisht në mësim, të participoni në mënyrë aktive në klasë dhe mbi çdo gjë tjetër, të hapni mendjen tuaj ndaj botës së të mësuarit dhe ideve të reja”, tha prorektori Prof. Dr. Pol Foster.

Kryetari i Unionit të Studentëve të UEJL-së, Pajtim Thaçi, u tha studentëve se ai dhe Unioni që e përfaqëson, do të jenë ata që do të mbrojnë interesat e studentëve.
“Me këtë që keni ardhur të studioni në këtë universitet keni bërë zgjidhjen më të mirë”, tha Pajtim Thaçi.

Pas përfundimit të “orës së parë akademike”, studentët kanë realizuar takime me përfaqësuesit e fakulteteve përkatëse, ku kanë marrë informata më në detaje lidhur me programet studimore, mënyrën e organizimit të studimeve, metodologjitë e mësimit, mënyrën e vlerësimit të dijeve, resurset në dispozicion, si dhe me infrastrukturën dhe rregullat e studimit.
















Google+