“Ju jeni ambasadorë të universitetit, gjithandej nga do të punoni e veproni. Me diplomën tuaj, ju nuk përfaqësoni vetëm veten tuaj, por edhe universitetin, në të cilin keni studiuar”, tha rektori akademik Alajdin Abazi, në mesazhin e tij drejtuar absolventëve. Ai mëtej i porositi studentët që “asnjëherë të mos harrojnë se e nesërmja u takon atyre, të cilët zotërojnë dije. Prandaj, vetëm përmes etjes së vazhdueshme për dije, do ta ndihmoni shoqërinë tonë në ballafaqimin me sfidat e kohës”.
Kryetari i Bordit të UEJL, dr. Denis Farington, duke e falënderuar rektorin, akademik Alajdin Abazi për punë e tij të gjithëmbarshme, e cila siç tha ai, rezultoi me suksesnë ngritjen e universitetit.
“Unë mund të flas me orë tëra për kontributin e Alajdin Abazit, por me këtë rast dua shkurtimisht të falënderoj atë për gjithë punën e tij, punë kjo e cila ka ndikuar në suksesin tuaj dhe të qindra të tjerëve”, tha kryetari i Bordit, Denis Farington.
Në mesin e mysafirëve të ftuar ishte edhe drejtori i USAID-it në Maqedoni, Majkëll T. Fric, i cili e theksoi përkrahjen e USAID-it dhënë për këtë universitet, që nga themelimi. Kjo ndihmë kryesisht ka qenë në formën e zhvillimit të infrastrukturës, pajisjeve për forcimin e aftësive akademike nëpërmjet zhvillimit të plan-programeve dhe kuadrit arsimor, ndarjen e bursave, etj.
Në pjesën e dytë të ceremonisë foli ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, i cili theksoi rëndësinë që ka Universiteti në promovimin e arsimit cilësor në Maqedoni.
“Dikush mund të thotë se kontingjenti i atyre që sot po diplomohen, në raport me rajonin, me Evropën apo me botën, është një grup i vogël. Por, ky numër është shumë me i madh dhe shumë me i rëndësishëm, nëse e krahasojmë atë me historinë 9-vjeçare të këtij universiteti, me cilësinë e këtyre studentëve dhe me nevojat që ka Maqedonia dhe rajoni për intelektualë të rinj”, tha ambasadori Çejku.
Studentët u entuziazmuan posaçërisht në çastin e ndarjes së certifikatave, ku edhe shënua momenti më kulmor të ceremonisë. Enkas për këtë ceremoni, grupi folklorik nga Vlora, këndoi këngë të kompozuara për universitetin dhe ceremoninë.
Në kuadër të ceremonisë ,u shpallën edhe 10 studentët më të firë në pesë fakultetet e UEJL dhe dy studentët e gjeneratës, Arbresha Hazari dhe Aleksandar Petrovski, të cilëve iu ndanë mirënjohje.