Gjithashtu, në lokalet e këtij fakulteti, Konzorciumi interuniversitar ALMA LAUREA i themeluar në v. 1994, bëri prezantimin e punës së tij që kryesisht përkujdeset për mundësitë e karrierës së studentëve të Universitetit të Bolonjës, duke bërë ndërlidhjen e studentëve të diplomuar me kompanitë, gjykatat dhe institucionet e tjera publike. Më pas, në Bruksel, u vizitua Misioni i RM-së në BE, me ç’rast studentët dhe stafi u pritën nga ambasadori Blerim Reka. Poashtu, u vizituan Parlamenti Evropian dhe Parlamenti belg (dhoma e Senatit), ku nëpunësit prezantuan organizimin, strukturën, mënyrën e punës dhe procedurat në këto dy institucione, në veçanti praktika parlamentare e përdorimit të gjuhëve zyrtare në të dy dhomat e parlamentit belg. Në fund, në Lubjanë u vizitua Fakulteti Juridik, me ç’rast përgjegjësit prezantuan programet studimore dhe modulet e lëndëve, studimet master dhe të doktoraturës, si dhe bibliotekën dhe sallat e ligjëratave dhe të orëve praktike. Vizita studimore u vlerësua si e suksesshme meqenëse kontribuon në zgjerimin e horizonteve evropiane të studentëve dhe të stafit të Fakultetit Juridik të UEJL-së.
Studentët e Fakultetit Juridik të UEJL nën udhëheqjen e dekanit, Prof. dr. Ismail Zejneli, prodekanit Doc. dr. Jeton Shasivari dhe profesorëve Prof. dr. Asllan Bilalli dhe Prof. dr. Adnan Jashari, kohë më parë realizuan një vizitë studimore në Fakultetin Juridik të Bolonjës, ku janë pritur nga dekani profesor Stefano Kanestrari. Me këtë rast, është prezantuar puna dhe organizimi i fakultetit, me theks të veçantë mënyra e mbajtjes së ligjëratave, ushtrimeve, provimeve, kolokviumeve, seminareve dhe aktiviteteve të tjera mësimore dhe hulumtuese.