Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Nxënësit më të talentuar të ekonomisë garuan në Olimpiadën Nacioanle të Ekonomisë që u mbajt në UEJL

Olimpiada Nacionale e Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut u mbajt me sukses dje në kampusin e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, duke mbledhur nxënësit më të talentuar të shkollave të mesme në fushën e ekonomisë.

Pas një faze rajonale shumë konkurruese, të zhvilluar në 7 qendra rajonale (Shkup, Tetovë, Kumanovë, Shtip, Prilep, Strugë dhe Gostivar), nxënësit me rezultatet më të larta u kualifikuan për në nivelin kombëtar, duke shënuar kulmin e muajve të përgatitjes, mësimit dhe garës.

Ngjarja mblodhi nxënës, mësimdhënës, partnerë institucionalë dhe përfaqësues të sektorit privat, duke theksuar rëndësinë në rritje të edukimit ekonomik dhe zhvillimit të mendimit kritik tek të rinjtë në Maqedoninë e Veriut.

Në nivel rajonal, tre nxënësit më të mirë në secilin rajon u shpërblyen si vijon:

Vendi i parë: Laptop

Vendi i dytë: Tablet

Vendi i tretë: Orë inteligjente

Në nivel nacional, gara vazhdoi me standarde edhe më të larta. 10 nxënësit më të mirë në nivel vendi u shpërblyen me vauçerë në vlerë prej 200 euro, të mbështetur nga Neptun, në shenjë vlerësimi për arritjet e tyre të jashtëzakonshme.

Pesë nxënësit më të mirë do të përfitojnë pjesëmarrje në një kamp përgatitor (Bootcamp), si dhe mundësinë për të përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në Olimpiadën Ndërkombëtare të Ekonomisë në Greqi, duke u vendosur në një skenë globale përkrah bashkëmoshatarëve nga e gjithë bota.

Në bashkëpunim me Universitetin e Evropës Juglindore, gara ofron edhe mundësi të rëndësishme akademike për tre vendet e para:

Vendi i parë: bursë 100% në Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë

Vendi i dytë: bursë 70%

Vendi i tretë: bursë 50%

Këto bursa synojnë të mbështesin dhe inkurajojnë zhvillimin e mëtejshëm akademik të ekonomistëve të rinj më të talentuar në vend.

Duke vlerësuar rolin kyç të mësimdhënësve, Olimpiada ndau edhe çmimet për Mësuesin më të Mirë në secilin prej 7 rajoneve, me shpërblim prej 200 dollarësh, si dhe çmimin për Mësuesin më të Mirë në nivel nacional, i cili u shpërblye me një udhëtim për dy persona në Stamboll.

Olimpiada e Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut organizohet nga Instituti Liberal Alternativa (LAI) dhe mbështetet nga Economic Fundamentals Initiative (EFI), në partneritet me Universitetin e Evropës Juglindore dhe një rrjet të gjerë partnerësh dhe sponsorësh.

Google+