Në hapje të programit, studentët patën rastin të dëgjojnë fjalimin e mirëseardhjes nga Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, i cili theksoi se zgjedhja për të studiuar në UEJL është një hap i rëndësishëm drejt dijes, zhvillimit personal dhe profesional.
“Ju sot bëheni pjesë e një institucioni që nuk është vetëm qendër e dijes, por edhe model i bashkëjetesës kulturore, inovacionit dhe përkushtimit ndaj cilësisë. Në UEJL, ju do të mësoni jo vetëm nga librat, por edhe nga shoqëria, përvoja, bashkëpunimi dhe sfidat,” u shpreh Rektori Ibraimi.
Në emër të studentëve, kryetari i Parlamentit dhe Asociacionit Studentor, Agron Muharemi, tha: “Si përfaqësues i studentëve, ju inkurajoj të jeni aktivë, të shfrytëzoni çdo mundësi që ofron UEJL dhe të kontribuoni që jeta studentore të jetë dinamike, bashkëpunuese dhe e frytshme për të gjithë.”
Gjatë këtij aktiviteti , studentët njihen me infrastrukturën e Universitetit, pajisen me dokumentet e identifikimit studentor (kartelat ID), përpilojnë orarin dhe njihen me këshilltarët për çështje studentore dhe administratën e Universitetit.
Po ashtu, ata u informuan për shërbimet kryesore që do t’i shoqërojnë gjatë studimeve: shërbimin studentor, shërbimin e teknologjive informatike, bibliotekën, shërbimin e karrierës, si dhe u takuan me përfaqësuesit e fakulteteve ku kanë zgjedhur të studiojnë.
