Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Hapet ekspozita “Pollution Painting – Tetova” në Galerinë e Arteve të Tetovës

Në ambientet e Galerisë së Arteve të Tetovës u hap sot ekspozita dyditore me titull “Pollution Painting – Tetova”, e cila mblodhi së bashku studentë, profesorë, personalitete të artit dhe kulturës, si dhe përfaqësues nga University of Birmingham. Ekspozita u organizua nga Instituti "Maks van der Shtul" i Universitetit të Evropës Juglindore.

Ekspozitën e shpalli të hapur Prorektorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Hulumtime në Universitetin e Evropës Juglindore, Prof. Dr. Besa Arifi, e cila theksoi se ndotja e ajrit nuk është një temë që në mënyrë të zakonshme paraqitet si vepër arti, por falë angazhimit të studentëve të UEJL-së dhe profesorëve nga Universiteti i Birmingamit, sot kemi një ekspozitë të fuqishme që përçon mesazhe të qarta për vetëdijësimin qytetar ndaj ndotjes së ajrit.

Në hapje të ekspozitës, fjala e rastit iu dha edhe Kryetarit të Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, i cili falënderoi organizatorët dhe ofroi bashkëpunim konkret me Institutin “Maks van der Shtul”, me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme që do të ndikojnë në uljen e ndotjes së ajrit në qytet.

Me një përshëndetje drejtuar të pranishmëve u paraqit edhe Drejtori i Institutit Maks van der Shtul, Prof. Dr. Veli Kreci, i cili u shpreh se është bërë një punë e mrekullueshme, dhe bashkëpunimi ndërmjet partnerëve të projektit dhe studentëve ka qenë në nivelin më të lartë të mundshëm.

Ekspozita paraqet një bashkëdyzim unik mes shkencës, artit dhe ndërgjegjësimit mjedisor. Nëpërmjet një teknike të avancuar të fotografisë dokumentare dhe një pajisjeje të veçantë me drita LED, të dhënat në kohë reale për ndotjen e ajrit PM2.5 në Tetovë janë shndërruar në imazhe vizuale mbresëlënëse, që pasqyrojnë ndikimin e ndotjes në mënyrë artistike dhe emocionale.

Projekti është realizuar në bashkëpunim ndërmjet Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) dhe University of Birmingham, me mbështetje nga UK Research and Innovation.

Për përvojën e tyre në këtë projekt folën edhe Lejla Ademi, Vlera Ismaili dhe Albinota Nuredini, të cilat ndanë me publikun rrugëtimin e tyre krijues dhe kërkimor në kuadër të ekspozitës.

Ekspozita ofron një mundësi të veçantë për të reflektuar mbi sfidat mjedisore përmes artit, duke vënë në pah ndërthurjen mes kërkimit shkencor dhe shprehjes krijuese. Ajo synon të rrisë vetëdijen për ndotjen e ajrit – një nga problemet më të mprehta me të cilat përballet qyteti i Tetovës dhe më gjerë.

Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 29 maj 2025.

Google+