Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Karriera fillon këtu – Panairi i Karrierës 2025 në UEJL

Sot (29.04.2025), në kampusin e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, u mbajt Panairi i Karrierës 2025, i organizuar nga Qendra e Karrierës, me pjesëmarrjen e mbi 60 kompanive vendore dhe ndërkombëtare.

Panairin e shpalli të hapur Prorektorja për Hulumtime dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Besa Arifi, e cila i uroi mirëseardhje përfaqësuesve të bizneseve pjesëmarrëse. Në fjalimin e saj, ajo theksoi rëndësinë që ky aktivitet ka për studentët, duke shtuar:

“Universiteti ynë synon të ofrojë jo vetëm njohuri teorike, por edhe aftësi praktike që kërkohen në tregun e punës. Kjo ditë për të gjithë studentët tanë është një pikë e rëndësishme në karrierën e tyre profesionale, ku kanë mundësi të krijojnë rrjete kontakti, të mbajnë lidhje me punëdhënësit dhe të aplikojnë për punë apo praktika profesionale.”

Udhëheqësja e Qendrës së Karrierës, Lumturije Memedi Sinani, theksoi rëndësinë e panairit:

“Ky panair paraqet një urë të rëndësishme lidhëse ndërmjet universitetit dhe tregut të punës, duke ndihmuar studentët të afrohen më shumë me mundësitë reale të punësimit.”

Gjatë panairit, u mbajtën prezantime të ndryshme nga kompanitë pjesëmarrëse, vizita në stenda, kontakte direkte me punëdhënësit dhe një sesion informues i veçantë nga Halkbank, me temën “Aftësitë e nevojshme në tregun e punës”.

Aktiviteti u përmbyll me ndarjen e certifikatave për kompanitë pjesëmarrëse në Panair.

Google+