Ekspozitën e shpalli të hapur Rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e zhvillimit të teknologjisë dhe ndikimin e saj në jetën dhe profesionet e së ardhmes.
"Ne jetojmë në një epokë ku jeta jonë është bërë gjysmë virtuale dhe në një të ardhme të shpejtë do të bëhet edhe më shumë virtuale. Një pjesë e madhe e punëve do të kryhen nga shtëpia. Ky është edhe misioni juaj, dhe projektet që do të krijoni në të ardhmen do të përshtaten me këto kërkesa. Për këtë keni mësuar në fakultetin tuaj, dhe ky është kontributi juaj dhe i yni për një zhvillim të qëndrueshëm e afatgjatë," u shpreh Rektori Bexheti.
Në ekspozitë u prezantuan punime nga studentët programeve studimore Arkitekturë dhe Dizajn dhe Dizajn i Brendshëm, të cilët përmes projekteve të tyre demonstruan kreativitetin, aftësitë teknike dhe inovacionin në fushat përkatëse.
Kjo ngjarje tradicionale jo vetëm që pasqyron përkushtimin dhe progresin akademik të studentëve, por gjithashtu shërben si një mundësi për ta që të ndajnë idetë dhe vizionet e tyre për të ardhmen e arkitekturës dhe dizajnit me publikun dhe profesionistët e fushës.
