Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U promovuan dy libra nga fusha e ekonomisë

Në prani të shumë mysafirëve, familjarëve, personaliteteve të njohur, studentëve dhe stafit, në UEJL, sot (26 qershor 2023), u promovuan librat “Mendimi ekonomiko-politik në format unik 2011-2023” i autorit Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti dhe“Konsolidimi dhe qëndrueshmëria e sistemit pensional të Republikës së Maqedonisë së Veriut: qasje analitike krahasimore” i autores Doc. Dr. Shpresa Alija.

Në fjalën e saj të rastit, dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi –Alili, tha se librat janë një vlerë e shtuar dhe të domosdoshëm të jenë pjesë në bibliotekat e gjithsecilit e posaçërisht për ata që studiojnë në fushat respektive.

Në cilësinë e recensentit të librit “Konsolidimi dhe qëndrueshmëria e sistemit pensional të Republikës së Maqedonisë së Veriut: qasje analitike krahasimore” i autores Doc. Dr. Shpresa Alija, Rektori Akad. Prof. Abdylmenaf Bexheti, tha se Profesoresha Shpresa, po debuton në një fushë shumë të rëndësishme siç është sistemi pensional.

“Libri është ka një strukturë të kuptueshme dhe është i kapshëm jo vetëm për ekonomistët, por edhe për të gjithë të tjerët sepse tangon një sistem të tërë, që në një mënyrë apo tjetër u takon të gjithëve”, tha mes tjerash Rektori Bexheti.

Vlerësimin e saj për librin e shprehu edhe recensentja tjetër Drita Konxheli Radoniqi, e cila e theksoi kontributin e librit në parashikimet periodike dhe ndikimi i tij në sferën e sistemit pensional, sidoms në aspektin krahasimtar.

Autorja e librit, Doc. Dr. Shpresa Alija, falënderoi familjen e saj për mbështetjen, mentorin e saj Akademik Bexheti dhe të gjithë ata që kanë kontribuuar që libri të botohet.

“Kjo tematikë tërhoqi vëmendjen për nevojën e konsolidimit të sistemit pensional pasi pensionet nuk janë çështje e zakonshme dhe ato kanë përparësitë, por edhe mangësitë, që janë përshkruar në këtë libër”, tha autorja e librit, Doc. Dr. Shpresa Alija.

Promovimin e librit “Mendimi ekonomiko-politik në format unik 2011-2023” i autorit Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti e hapi botuesi, Prof. Dr. Ylber Sela, drejtor i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare.

“Autori i librit, Akademik Abdylmenaf Bexheti është emër i njohur në sferën e ekonomisë dhe botimi i këtij libri paraqet edhe një vlerë shtesë në mendimin e tij për ngjarjet ekonomike dhe politike për periudhën e përshkruar në libër”, tha Prof. Sela. Ai sugjeroi që libri të përkthehet në anglisht dhe maqedonisht.

Recensenti i librit, Prof. Dr. Ismet Osmani, foli për strukturën e librit, e cila nuk i dedikohet vetëm ekonomistëve, pasi në vete ngërthen shumë aspekte dhe përshkruan një periudhë komplekse të zhvillimeve ekonomike, por edhe politike.

Prof. Dr. Ali Pajaziti, si recensent i librit, tha se ka zhvilluar një komunikim intensiv me autorin e librit, i cili gjithmonë ka qenë i gatshëm dhe me shumë gatishmëri i ka marr në konsideratë edhe aspektet dhe mendimin sociologjik që shprehet në libër.

Autori i librit, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, falënderoi bashkëpunëtorët e ngushtë që kanë kontribuar në botimin e librit, si dhe familjen e tij, e cila si gjithnjë deri tani i ka ofruar mbështetjen maksimale.

“Jo rastësisht recensentët e librit nuk janë ekonomistë, sepse kam dashur që libri të shihet në më shumë dimensione e jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe sociologjik, politik dhe më gjerë”, tha mes tjerash autori dhe Rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.

Google+