Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U mbajt ceremonia e promovimit të gjeneratës së nëntëmbëdhjetë të absolventëve të UEJL-së

Me një Ceremoni solemne, në praninë e prindërve, familjarëve, stafit dhe mysafirëve të tjerë, të shtunën (17 qershor 2023), në Universitetin e Evropës Juglindore, u promovua gjenerata e 19-të e absolventëve.

Ceremoninë e shpalli të hapur, kryetari i Bordit të Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Klaus Tochterman, i cili këtë ditë e cilësoi si arritje shumë të rëndësishme në jetën e secilit.

“Ju lutemi, ndani njohuritë që keni fituar në UEJL me të tjerët. Nëse e bëni këtë, do të përmbushni një dëshirë të madhe të UEJL-së: atë që keni mësuar do ta përdorni jo vetëm për të mirën tuaj, por edhe për të mirën e të tjerëve. Për ata që nuk janë aq me fat sa ju.”, tha mes tjerash në fjalimin e hapjes, kryetari Tochtermann.

“Ky vend, ku jam unë sot, ka bërë që para 20 vitesh të ndjehemi si pjesë e Evropës, si me kushtet, standardet dhe mundësitë e studimit që ka ky Universitet. E di se ju presin shumë arritje të reja në planin personal dhe profesional sepse jeni gjeneratë ambicioze, e cila do të sjellë përfitime të mëdha për vendin dhe prosperitet të përgjithshëm për shoqërinë. Arsyetoni diplomën që e keni marrë në njërin nga universitetet më të njohur dhe bashkëkohor në vendin tonë.”, tha mes tjerash në fjalimin e tij ministri i Arsimit dhe Shkencës, Dr. Jeton Shaqiri.

Në porosinë e tij tradicionale, Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, u tha studentëve se në jetë, do të kenë edhe shumë momente përplot me emocione, energji pozitive, entuziazëm, pasion, por kjo ditë do të lë vragë të veçanta në kujtesën Tuaj, përgjithmonë.

“Ju jeni gjenerata e 19-të, që numerikisht shkon në gjithsejtë 27 mijë studentë të regjistruar në kumulativ, në të tre ciklet studimore, përfshi këtu edhe ata që aktualisht e kanë statusin e studentit dhe rreth 16.000 studentë të diplomuar (13.000 në studimet deridiplomike, 2.600 në studimet e masterit dhe 270 në studime të doktoratës). Qindra profesorë e pedagogë nga vendi, regjioni, por edhe ndërkombëtarë, të organizuar në gjashtë fakultete, tre qendra dhe tre institute, me gjithsejtë 80 programe studimore, në tre cikle, të mbështetur edhe nga stafi administrativ dhe logjistik, dhanë e vazhdojnë të japin kontributin e tyre në këtë kapital.“, theksoi rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.

“Sot, nuk është si dje dhe nesër s’do jetë si sot në kuptim të ndryshimeve që ndodhin në shoqëri në të gjithë planetin tonë. Ashtu, siç lëvizjet shoqërore sot e nesër nuk janë më brenda një rrethi, apo një katrori e as brenda një zone të caktuar gjeografike, ashtu edhe profesionet nuk do jenë më të përjetshme. Ndryshimet eksponenciale që po ndodhin do t’iu bartin në ndonjë cep të caktuar të planetit, ashtu si nesër do ju kërkohen zgjidhje për probleme që nuk ngërthehen brenda kornizave kurrikulare tradicionale. Prandaj, koncepti i të menduarit kritik dhe zgjidhjes së problemeve kanë qenë dhe mbeten postulate bazë mbi të cilët ndërtohet sistemi i mësimdhënies dhe mësimnxënies në UEJL. Së paku, ne e dimë se çka duam! Se sa ia kemi dalë do të tregoj tregu nesër!”, tha mes tjerash Rektori Bexheti.

Në emër të studentëve të gjeneratës fjalim rasti mbajti student Miraxh Lika, nga Fakulteti I Shkencave dhe Teknologjive Bashkëkohore, I cili falënderoi prindërit dhe profesorët për kontributin e dhënë për arritjet e tyre.

Për anën artistike të Ceremonisë u kujdesën grupi I njohur tetovar “Elita 5” dhe Prof. Agim Poshka, që këndoi këngën e Universitetit “Zëri i dijes”.

Google+