Në fillim të takimit, anëtarët e Bordit u informuan nga Kryetari për sulmet masive kibernetike që kanë pësuar institucionet arsimore gjermane. Institucioni ku ai është përgjegjës, biblioteka në qytetin e Kiel-it ishte një nga institucionet e sulmuara. Ne gjithashtu ndajmë përvojë të tillë me sulmet kibernetike në RMV-ë, të cilat shkaktuan shumë probleme për institucione të ndryshme. Një rekomandim i përgjithshëm është që Universiteti duhet të sigurohet që mund të përballet me sukses ose të mbrohet nga sulme të tilla shkatërruese.
Takimi vazhdoi me prezantimin e Raportit të Progresit nga Rektori. Për sa i përket kontekstit të arsimit të lartë (AL), megjithëse ka pasur një iniciativë për ndryshimin e Ligjit për AL, ai nuk është ndryshuar. Në nivel të Universitetit ka pasur mjaft zhvillime. Një nga më të rëndësishmet është se për herë të parë që nga viti 2001, pagat e të gjithë stafit të me orar të plotë (F-T) janë rritur që nga janari. Sipas Webometrics, Universiteti vazhdon të mbajë të njëjtin rangim si universiteti i tretë në RMV-ë. Mesatarja e prezencës së studentëve për semestrin aktual është 73,6%. Universiteti ka vazhduar me akreditimin e programeve të reja si: Politekniku, Dizajni i Brendshëm dhe Shkencat Shoqërore. Me synimin për të ripërtërirë stafin akademik, ne po vazhdojmë të synojmë studiues të rinj të talentuar me përvojë ndërkombëtare, me synimin për t'i rekrutuar ata. Konkursi për regjistrimin e studentëve të ri është publikuar dhe presim që aplikantët cilësorë të kenë parasysh reputacionin e institucionit dhe bursat që ofrojmë. Në kuadër të këtij viti akademik (VA) ne kemi pasur 189 publikime hulumtuese që është një hap cilësor përpara. Në aspektin e mobilitetit, Universiteti ka pasur një numër të shtuar të studentëve dhe stafit që kanë ardhur. Pjesëmarrja e stafit në projekt po shkon shumë mirë. Aktualisht kemi 25 projekte aktive me buxhet prej 725.000 € për UEJL-në. Edhe investimet po shkojnë sipas planit. Prokurimi i “Qendrës së të dhënave” është në realizim me një kosto prej 192.000 €. Një tjetër investim i madh është prokurimi i 350 desktopëve me një kosto prej 250.000 €. Një tjetër investim është ndërtimi i një impianti të paneleve diellore me kapacitet 330 KWh i cili është në fazën e licencës nga Komuna. Anëtarët e Bordit ishin të kënaqur kur dëgjuan se progresi që po bëjmë po tejkalon objektivat e planifikuara në shumë fusha.
Në pikën vijuese Rektori prezantoi ecurinë e realizimit të buxhetit të universitetit për vitin akademik aktual, për periudhën 1 shtator 2022 – 31 maj 2023. Të ardhurat totale të buxhetit operativ të realizuara për këtë periudhë arrijnë në €4,401,200.- të cilat paraqesin një realizim prej 77,79% të buxhetit të planifikuar. Shpenzimet totale të buxhetit operativ të realizuara arrijnë në €3,967,795.- të cilat paraqesin një realizim prej 71,90% të buxhetit të planifikuar. Suficiti buxhetor i realizuar është €433,405.-, një përmirësim i konsiderueshëm krahasuar me suficitin e planifikuar buxhetor që ishte €139,256.-. Gjendja me paratë e gatshme në universitet është gjithashtu duke u përmirësuar. Krahasimi i muajit maj 2022 dhe 2023 tregon se paratë e gatshme për këtë vit arrijnë në €5,084,789.- krahasuar me paratë e gatshme në maj 2022 që ishin €4,835,708.-. Është vërejtur progresi buxhetor dhe menaxhmenti i Universitetit është përgëzuar për menaxhimin e kujdesshëm të parasë.
Në vazhdim të takimit Kryetari prezantoi raportin e auditimit për vitin fiskal 2022 të auditorëve të jashtëm “RSM Makedonija”. Raporti i auditimit tregon se pasqyrat financiare të Universitetit janë përpiluar tërësisht në përputhje me parimet e kontabilitetit. Raporti i auditimit u miratua njëzëri.
Pika e radhës që u diskutua ishte propozim-buxheti për vitin e ri akademik 2023/2024. Buxheti i ri ndjek një linjë konservatore në pjesën e të ardhurave duke lejuar njëkohësisht investime dhe dimensionin e zhvillimit të institucionit. Të ardhurat totale buxhetore për vitin 2023/24 janë planifikuar në €5,982,539.- kurse shpenzimet totale buxhetore parashikohen në €6,175,956.- duke parashikuar një deficit prej €193,417-, si rezultat i investimeve kapitale prej 580.000 € të planifikuara në vitin ardhshëm fiskal. Bordi miratoi unanimisht buxhetin e ri të Universitetit për VA 2023/2024.
Përveç çështjeve të mësipërme, Bordi u pajtua që Universiteti të hyjë në marrëveshje bashkëthemeluese me komunat e Rajonit të Pollogut në lidhje me formimin e Fondacionit iCan në Gostivar dhe qendrës iCare në Tetovë.
Mbledhja e radhës e Bordit pritet të mbahet më 17 nëntor kur Universiteti do të festojë 22 vjetorin e themelimit.
