Presidenti Pendarovski paraprakisht realizoi një takim me Rektorin e UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili shoqërohej nga prorektorja për Hulumtime dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Besa Arifi. Gjatë takimit, Rektori Bexheti dhe Presidenti Pendarovski biseduan për aktualitetet në arsimin e lartë dhe rolin Universitetit, si kontribuues me përgjegjësi shoqërore në vend.
Rektori Bexheti, para studentëve e falënderoi Presidentin Pendarovski për qasjen e hapur ndaj Universitetit dhe studentëve dhe për mundësinë e dhënë që studentët drejtpërsëdrejti të dëgjojnë ligjëratën specifike dhe informatat për aktualitet dhe proceset kryesisht politike në vend.
“Presidenti paraqet institucionin më të lartë në vend dhe nisur nga kjo është shumë e rëndësishme që ky institucion të jetë i qasshëm dhe i hapur për publikun, të jetë e drejtpërdrejtë dhe të komunikojë me qytetarët . “, theksoi Rektori Bexheti.
Gjatë ligjëratës me studentët Presidenti Pendarvski theksoi se kjo është hera e dytë që e viziton UEJL-in dhe se me Rektorin Bexheti kanë qenë pjesëmarrës në procese të rëndësishme politike në vend . Rektori Bexheti gjithmonë ka patur qëndrim argumentues dhe ka qenë mjaftë ofensivë në mbrojtjen e këtyre qëndrimeve.
“Në dhjetë vitet e para të pavarësisë së Maqedonisë ishte krijuar një sistem qeverisës përjashtues, ku koncepti i shteti bazohej në një popull konstituitiv dhe pastaj vinin të tjerët. Prandaj u arrit Marrëveshja Kornizë e Ohrit, që siguroi kohezionin shoqëror. ”, tha në fillim të ligjëratës Presidenti Pendarovski.
Duke folur për aktualitet e fundit dhe sfidat me të cilat përballet Maqedonia e Veriut, Presidenti Pendarovski i përmendi dy çështjet më sfiduese, korrupsionin dhe ikjen masive të rinisë.
Pas ligjëratës, Presidenti Pendarovski dhe Rektori Bexheti së bashku e vizituan Qendrën Simuluese të Fakultetit të Shkencave Shëndetësore, me ç’ rast u njoftua me punën që bëhet në fakultetin më të ri të UEJL-së.
Universiteti i Evropës Juglindore nisur nga përgjegjësia shoqërore dhe rëndësia që ka në hapësirën e arsimit të lartë është bërë cakë i vizitave të shumta nga personalitete të larta nga vendi dhe ndërkombëtarë.
