Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Dëshmi të drejtpërdrejta nga Ukraina në tribunën e mbajtur në UEJL

“Dëshmi nga Ukraina”, ishte tema e Tribunës, që u mbajt sot (7 dhjetor 2022), në Universitetin e Evropës Juglindore, në të cilën përfaqësues të qeverisjes lokale të Rrethit të Kievit dhe qytetit Irpin shpalosën dëshmitë e drejtpërdrejta për ngjarjet në Ukrainë.

Tribuna u organizua nga Universiteti i Evropës Juglindore në bashkëpunim me Institutin Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC).

Në këtë tribunë morën pjesë: Tetjana Sçerbak, zëvendësgovernatore e Rajonit të Kievit, Trohim Ivanov, zëvendës i kryetarit të Vishegorodit, Violeta Dvornikova, këshilltare e kryetarit të qytetit Irpin dhe në cilësinë e nismëtarit, z. Nenad Çanak, politikan dhe ish lider i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës.

Në fjalimin e tij, rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti e falënderoi z.Çanak nga Vojvodina dhe gazetarin Selajdin Xhezairi nga Instituti BIRC, për iniciativën dhe realizimin e kësaj vizite kaq të rëndësishme për ne si komunitet akademik, por edhe më gjerë, për këtë mundësi që drejtpërdrejt të dëgjojmë këto dëshmi për vuajtjet e Ukrainasve nga agresioni Rus i paprovokuar. Ne po përkrahim luftën e drejt të popullit të Ukrainës dhe me këtë po dëshmojmë se jemi në anën e drejtë të historisë.

“Nëse dikush i kupton më mirë miqtë tanë Ukrainas, ne jemi ndër ata, fatkeqësisht jo të vetëm në këtë pjesë të Evropës, sepse këndejpari, si në Bosnjë dhe Hercegovinë-para tre dekadash e në Kosovë para dy dekadash, përjetuam gjëra të ngjashme që shkaktuan qindra mijëra viktima, e mos u përsëriteshin kurrë më!”, tha mes tjerash rektori Bexheti.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe konsulli i Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, z. Kostiantyn Kutsenko, i cili e përshëndeti ngjarjen dhe e falënderoi UEJL-in për mundësinë e dhënë që të dëgjohet zëri i ukrainasve.

Përfaqësuesit e delegacionit Ukrainës, për studentët dhe të ftuarit nëpërmjet pamjeve video, fotografive dhe dëshmive arritën që për studentët, stafin, por edhe publikun më të gjerë të paraqesin një tablo sa më reale për atë se çfarë në fakt po ndodh në Ukrainë. Ata, thanë se është e rëndësishme të kuptohet dhe të përkrahet kauza e drejtë e tyre më të gjitha mjetet demokratike, duke theksuar nevojën e ndihmës së gjithmbarshme për popullin ukrainas.

Në këtë tribunë, foli edhe Nenad Çanak, i cili iu drejtua studentëve me kërkesë konkrete që të mbrojnë këtë paqe që po e gëzojnë, sepse ana tjetër është e zymtë dhe e trishtë. Ai tha se tërë jetën e tij ka luftuar për demokracinë dhe vlerat demokratike dhe shpreson se sadopak ka ndikuar që të arrihet paqe dhe të vendoset sistemi demokratik në këtë rajon.

Për publikun u prezantuan video të shkurtra nga lufta në Ukrainë, të shoqëruara me pamje autentike të qyteteve dhe fshatrave të shkatërruar nga lufta.

Tribuna ngjalli debat dhe pyetje të shumta nga studentët dhe stafi i pranishëm.

Përfaqësuesit e komunave nga Ukraina para se të flasin në UEJL (Tetovë) kanë marrë pjesë në tribuna të ngjashme në Novi Sad, në Sarajeve dhe në Tuzlla.

Google+