Ky botim përmbush nevojën e studentëve dhe studiuesve për një qasje më të drejtpërdrejtë tek informatat mbi çështjet evropiane. Qëllimi kryesor i këtij botimi, siç vë në pah edhe vetë autori, është që të hedh dritë mbi aspektet më të rëndësishme të sistemit juridik, institucional dhe politikave të Bashkimit Evropian në epokën bashkëkohore të ndryshimeve dhe sfidave me të cilat ballafaqohet Evropa brenda saj dhe në arenën ndërkombëtare.
Mbase, duhet theksuar se libri “Bashkimi Evropian - e drejta, institucionet dhe politikat”, i Doc. dr. Abdulla Azizit, iu përgjigjet kërkesave të theksuara të studentëve, të cilët kanë nevojë për literaturë universitare të kësaj natyre në gjuhën shqipe, me qëllim që të njëjtit të pajisen me njohuri mbi proceset euro-integruese në shoqërinë tonë, veçmas studentët e shkencave juridike, politike, administrative etj. “Shtysa për të punuar në përgatitjen e këtij teksti bazohet në faktin se procesi i anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian duhet të rrugëtojë përmes edukimit të studentëve, të cilët pas përfundimit të studimeve do të përfshihen në institucionet e vendit dhe do të zbatojnë të drejtën e BE-së, madje edhe do të punojnë në institucionet e BE-së pas anëtarësimit të suksesshëm të vendit”, thekson autori i librit prof. Abdulla Azizi.