COVID-19 Information and Protocol

Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Rektori Bexheti u takua me studentët në kuadër të Javës së Përvjetorit të Universitetit

“20 vite prodhim i dijes”, ishte tema e takimit të Rektorit të Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti me studentët, që u realizua sot (15 nëntor 2021), në organizim të Parlamentit dhe Asociacionit Studentor.

Kryetari i Parlamentit dhe Asociacionit Studentor, Agron Demiri, tha se ky takim ka simbolikën e vetë jubilare që studentët drejtpërdrejtë nga Rektori të dëgjojnë për rrugën e Universitetit këto 20 vite dhe synimet e tij për të ardhmen.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akademik Bexheti u shpreh i ngazëllyer nga entuziazmi i studentëve dhe prania e tyre në numër kaq të madh në këtë takim.

“Ishin një grup vizionarësh ndërkombëtarë dhe vendor, e në mesin e tyre u radhita edhe unë, që në nëntorin e vitit 2001, muaj ky që përkon me festat kryesore kombëtare, filluam rrugën e ndërtimit të këtij institucioni, që tani nga të gjithë konsiderohet si prodhuesi më i madh i vlerave intelektuale”, tha Rektori Bexheti.

Ai i prezantoi fazat kryesore në të cilat ka kaluar Universiteti, duke vënë theksin në ndikimin marramendës që ka patur ai këto 20 vite, sidomos në reformimin e shoqërisë shqiptare këtu në Maqedoninë e Veriut.

“Universiteti i Evropës Juglindore krijoi një emancipim intelektual , duke na nxjerrë nga inferioriteti profesional, akademik, shkencor por edhe gjithëshoqëror. Tashmë elita profesionale dhe intelektuale shqiptare e mbanë vulën e këtij Universiteti. Nëse e shihni strukturën e të punësuarve në vend, por edhe në Kosovë, do të shihni se një pjesë dërmuese në sektorët elitar, si ai i financave, apo edhe shërbimeve, por pse jo edhe të biznesit, universitetin amë e kanë UEJL-in”, u shpreh Rektori Bexheti.

Lidhur me të ardhmen, Rektori Bexheti, paralajmëroi nismën e krijimit të Fakultetit të Shkencave Shëndetësore, që nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve pritet të jetësohet në vitin e ri akademik.

Takimi i studentëve me rektorin, ishte aktiviteti i parë, në kuadër të Javës së Përvjetorit të Universitetit, kur do të mbahen një sërë aktivitetesh, që do të kulmojë me manifestimin kryesor që do të mbahet të premten (19 nëntor), Ceremonia Solemne dhe Promovimi i Doctor Honoris Causa. Po sot, filloi edhe Turneu në futsall me nxënësit e shkollave të mesme.

Ditën e martë, do të mbahet Takim me Alumn-it e Universitetit, ndërsa të mërkurën, do të mbahet aktiviteti Dita e Studentëve Ndërkombëtarë në UEJL, ku mes tjerash do të prezantohen specialitete të kuzhinës nga vendi nga i cili vijnë studentët. Të enjten për të gjithë të punësuarit që kanë mbushur 20 vite pune ne Universitet do t’iu jepen mirënjohje, ndërsa, po këtë ditë do të promovohen edhe doktorët e shkencave që kanë doktoruar në periudhën 2020-21.

Google+