Në hapjen solemne fjalim rasti mbajtën: ambasadorja e Britanisë së Madhe në Shkup, Rejçell Gallovej (Rachel Galloway), përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së Armen Grigoryan, drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Kosta Petrov dhe në cilësinë e nikoqirit Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në fjalimin e tij të rastit, tha se ndjehet shumë i kënaqur që hapja e kësaj qendre dhe realizimi i këtij projekti është në vazhdën e krijimit të laboratorëve për mësim praktik dhe trajnime shkathtësie (Labs4Practical Education) për mendim dhe veprim kreativ, të cilët ne i quajmë laboratorë për mësim praktik.
“Ky është laboratori i tretë që ne e hapim brenda një viti në Universitetin e Evropës Juglindore, duke filluar nga Laboratori i Forenzikës në Fakultetin Juridik, Qendrën iCan në Gostivar dhe tani Qendrën për Aftësi të Reja këtu në kampusin në Tetovë. Mund të them se tregu jonë i punës është shumë asimetrik dhe nëpërmjet këtyre projekteve po japim kontributin tonë për të zvogëluar hendekun ndërmjet tregut të punës dhe arsimimit”, tha Rektori Bexheti.
Rektori Bexheti i falënderoi të gjithë palët e përfshira në realizimin e këtij projekti, duke theksuar se qendrat e këtilla na mundësojnë që ta transformojmë arsimimin nga ekskatedra në arsimim aplikativ.
Në kuadër të Qendrës, profesionist, praktikantë dhe studentë do të ndjekin trajnime të specializuara në fushën e industrisë së tekstilit, ndërtimtarisë dhe bujqësisë.
