Duke folur për funksionimin e Universitetit në vitin e ri akademik, Rektori Bexheti tha se Universiteti ka kapacitete hapësinore, kuadër të përgatitur dhe teknologji për realizimin e mësimdhënies cilësore sido që të jenë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore dhe të Ministrisë së Arsimit.
Në fjalimin e tij, rektori Bexheti, theksoi se Pandemia e Covid -19, dëshmoi se Universiteti ishte i përgatitur dhe i vetmi në vend, i cili mësimdhënien klasike e zëvendësoi me mësimdhënien online, në të njëjtën ditë kur këtë e rekomandoi Ministria e Arsimit. Shumicës së universiteteve në vend iu desh më shumë se një javë që të mundësojnë mësimdhënien online.
“Sfida e radhës është përshtatshmëria institucionale, duke respektuar kërkesat e studentëve, ruajtjen e cilësisë dhe në radhë të parë shëndetin e studentëve dhe stafit”, tha Rektori Bexheti. Ai i veçoi disa nga arritjet e Universitetit në semestrin e parë, siç janë. Transparenca dhe menaxhimi i suksesshëm gjatë zgjedhjes së përbërjes së re të Bordit, zgjedhja e kryetarit të ri të Bordit dhe menaxhimi i suksesshëm i mësimdhënies online dhe qëndrueshmëria financiare.
Rektori Bexheti i shpalosi edhe aktivitetet që do të ndermirën në aspektin akademik në vitin e ri akademik.
“Planifikojmë rishikimin e syllabuseve, rishikimin dhe përshtatjen me nevojat e kohës të materialeve mësimore, kurse vlerësimi i studentëve të zgjerohet dhe të jetë me bazë javore. Po ashtu, do të rifresokohet një pjesë e stafit akademik të rekrutuar në bazë meritore, sidomos nga studentët e doktoraturës, si dhe do të konsolidohet stafi i cili do të ligjëroj në drejtimin e ri Arkitekturë dhe Dizajn”, tha Rektori Bexheti.
Lidhur me veprimet konkrete, dinamikën dhe risitë tjera në mësimdhënie, foli prorektori për planifikim akademik dhe digjitalizim, Prof. Dr. Vlladimir Radevski.
Për arritjet dhe sfidat në hulumtime, foli prorektorja për hulumtime dhe marrëdhënie ndërkombëtare, Prof. Dr. Besa Arifi.
Për buxhetin dhe planifikimet buxhetor prezantoi prorektori për planifikim dhe ndërmarrësi, Prof. Dr. Besnik Fetai.
Lidhur me përvojat e SHBA-ve, për mësimdhënien online prezantoi Prof. Faridah Pawan.
Trajnimi, do të përfundoj ditën e premte (21 gusht), kurse në kuadër të temës boshte, në seanca dhe grupe pune, do të trajtohen edhe tema të tjera specifike që lidhen me kushtet e reja të krijuara nga Pandemia Covid 19.
Zyra e sigurimit të cilësisë, e cila ishte organizatore e këtij trajnimi, u kujdes që të respektohen të gjitha protokollet dhe rekomandimet e mbrojtjes së shëndetit të stafit dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë.
