Me këtë rast, duke e shpalosur kujtesën e historisë së lavdishme kombëtare u tha se Dita e 28 nëntorit të vitit 1912, është dita kur plaku i urtë dhe diplomati i shquar Ismail Qemali, së bashku me delegatët e ardhur nga vise të ndryshme shqiptare, ngriti flamurin kombëtar në Vlorë. “Kjo ngjarje përbën fazën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila përkon edhe me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, por gjithnjë duke dëshmuar edhe për zhvillimin e ndërgjegjes politike kombëtare të të gjithë popullit shqiptar, pa dallime krahinore”, thanë folësit. Ata nënvizuan me këtë rast se, zhvillimet politike nuk janë shfaqur gjithandej njëlloj në periudha të ndryshme, pasi ato kanë qenë të kushtëzuara nga rrethanat e kohës. Në këtë akademi të shënimit të Ditës së Flamurit, Demush Bajrami lexoi thekse nga autorë të Rilindjes Kombëtare. Sipas tij, këto thekse-porosi janë aktuale edhe sot. Në fund, Muharrem Etemi recitoi edhe një poezi, kushtuar dëshmorëve të rënë në luftë për drejtat e shqiptarëve.
Gjithashtu, vlen të theksohet se, ditë më parë, nga Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit i UEJL, u shënua edhe 101 vjetori i Kongresit të Manastirit – alfabetit të gjuhës shqipe.