Debatin e shpalli të hapur dekania e FBE-së, Prof. Dr. Hyrije Abazi, e cila tha se qëllimi i tryezës së rrumbullakët është të jepet një pasqyrë ekonomike të gjendjes së shkaktuar nga efektet e korona virusit në nivel global dhe lokal. Sektorët që pritet të kenë ndikim më të madh janë turizmi dhe importi i mallrave.
Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në cilësinë e njërit nga panalesitët, foli për Perspektivën makroekonomike të efektit të korona virusit.
“Qëllimi është që nëpërmjet argumenteve t’i paraqesim pikëpamjet tona lidhur me efektet e korona virusit në ekonominë globale e në veçanti në atë lokale. Aktualisht, parametrat makroekonomike tregojnë se ekonomia e Maqedonisë së Veriut është stabile, por rekomandoj që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të ndërmerr masa ekonomike preventive për zbutjen e ndikimit të efektit të korona virusit”, tha në prezantimin e tij rektori Bexheti.
Ai theksoi se efekti i koronavirusit i ka prekur ekonomitë e fuqishme globale dhe kjo detyrimisht ka edhe impaktin e saj në ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Aktualisht efekti i korona virusit është psikologjik, por kjo nuk e përjashton mundësinë që efekti të jetë më shqetësues nëse gjendja e këtillë do të vazhdojë.
Menaxheri gjeneral i Shparkase Bankës, Gligor Bishev, foli për ndikimin e efektit të korona virusit në sektorin bankar. Ai tha se ky sektor është shumë i qëndrueshëm, por se efektet afatgjata do të vërehen nëse gjendja zgjat më shumë se 60 ditë.
Lidhur me reagimet e sektorit real ekonomik, foli z. Zoran Jovanovski, përfaqësues i Odës Ekonomike të Maqedonisë.
Tryeza vazhdoi me diskutimet nga të pranishmit studentë e staf të Universitetit, ku u trajtuan shumë aspekte të ndikimit të efektit të korona virusit mbi ekonominë e Maqedonisë së Veriut.
