Në këtë ngjarje merrnin pjesë mbi 80 kompani, të cilët në stendat e tyre kishin ekspozuar veprimtarinë e tyre, kurse ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tyre, të cilët shqyrtonin CV-të e studentëve për angazhim të mundshëm të tyre. Panairi u organizua nga Qendra e Karrierës e UEJL-së.
Panairin e shpalli të hapur rektori i UEJL-së, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, i cili u dëshiroi kompanive dhe studentëve të komunikojnë sa më shumë dhe të arrijnë sa më shumë marrëveshje për angazhim.
“Qëllimi i mbajtjes së këtij Panairi është të tregoj se Universiteti është shumë i interesuar të dëgjoj zërin dhe kërkesat e kompanive. Ne jemi shumë të kënaqur se produkti ynë akademik është shumë i rëndësishëm për kompanitë dhe kjo po dëshmohet me pjesëmarrjen masive të kompanive dhe me të dhënat e qendrës së karrierës, ku në kushte të papunësisë prej 22%, mbi 60% e studentëve tanë të sapo diplomuar arrijnë të punësohen”, tha në fjalimin e tij rektori Bexheti. Ai e theksoi faktin që Senati i Universitetit ka miratuar Ofertën e re akademike, ku për këtë vit do të ketë programe të reja studimore, si: Financat dhe Bankat, TI në Drejtësi, Ndërmarrësia dhe se të gjitha do të jenë katërvjeçare.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Nebi Hoxha, në fjalimin e tij, tha se ky Panair dëshmoi se bashkëpunimi mes Universitetit dhe OEMVP-së është në nivelin më të lartë dhe se shpresa jonë janë studentët. Ai, po ashtu u bëri thirrje kompanive që të detektojnë kuadrin e tyre këtu, pasi duam që rinia ta gjejë vendin e duhur në shoqërinë tonë.
Në panair morën pjesë kompani të njohura nga vendi dhe në përgjithësi i takojnë sektorit privat, por edhe atij publik. Të pranishëm ishin edhe shumë institucione arsimore dhe organizata joqeveritare.
