Rektori i zgjedhur, Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, në fillim të prezantimit të vizionit të tij, falënderoi të gjitha menaxhmentet e dritanishme të UEJL-së, duke veçuar me këtë rast, kontributin menaxherial të rektorit të parë të këtij Universiteti, Prof. Dr. Alajdin Abazi dhe të rektorit aktual, Prof. Dr. Zamir Dika. Ai, poashtu lavdëroi procesin e zgjedhjes së rektorit të ri, ku e cilësoi si pjekuri institucionale, që respekton standardet më të avancuara.
Rektori Bexheti, duke shpalosur pjesë të strategjisë në kuadër të vizionit të tij, tha se mënyra e udhëheqjes me institucionin, do të jetë realiste dhe i bëri thirrje stafit që të jenë pjesë e ndryshimeve që do të pasojnë në funksion të ruajtjes dhe përparimit të mëtutjeshëm të UEJL-së.
Ne, tha ai, mëtojmë që të jemi universitet specifik me programe specifike, por duke ruajtur edhe formën unike të funksionimit, që është përcaktuar me ligj.
Një nga reformat e para, që rektori i ri pritet t’i bëjë është rikonstruimi akademik, që nënkupton rikonstruim të planprogrameve dhe mënyrën e realizimit të mësimit në klasa.
“Vizioni im është që universiteti të jetë unik, i dallueshëm, specifik dhe i shkëlqyeshëm”, tha në prezantimin e tij rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.
Nuk do të ketë kompromis me cilësinë, e cila do të jetë një nga prioritetet kryesore, kurse qasja do të jetë individuale e jo kolektive në funksion të matjes së perfomancës, dallueshmërisë dhe përkushtimit ndaj institucionit.
Gjithashtu, prioritetet, do të jetë edhe fokusimi në hulumtimin e mirëfilltë, duke ngritur tema të dobishme për shoqërinë.
Në fund, për të gjithë të pranishmit, në mjedisin e hapur të kampusit në Tetovë, u shtrua drekë.
