Rektori Dika, e njoftoi komisionarin Zanier, me zhvillimet aktuale në Universitet dhe me gjendjen e përgjithshme të arsimit të lartë në Maqedoni.
“Universiteti ynë vazhdon të mbetet i përkushtuar në promovimin e misionit të tij për avancimin e arsimit në gjuhën shqipe, por edhe në krijimin e kushteve dhe nxitjen e studentëve për të studiuar në gjuhën angleze. Qasja multietnike dhe multikulturore mbetet po ashtu lartë në strategjinë e zhvillimit trë universitetit. Trendët e regjistrimit tregojnë se ka një rritje të ndjeshme të numrit të studentëve, të cilët dëshirojnë të studiojnë në gjuhën angleze. Kjo komponentë dhe sigurimi i cilësisë në mësimdhënie kanë bërë që Universiteti ynë të dallohet si model i veçantë i arsimit të lart jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon”, tha rektori Dika. Ai kërkoi angazhimin e OSBE-së në të gjitha hapat e strategjisë së zhvillimit të qëndrueshëm të universitetit.
Komisionari Zaner, tha se gjatë vizitës në Maqedoni, pika kyçe e interesimit të tij, në të gjitha takimet që i ka zhvilluar ka qenë pikërisht arsimi dhe problemet me të cilat përballet kjo fushë shumë e rëndësishme e një shteti.
“Ne jemi të gatshëm, që ta përkrahim UEJL-në në të gjitha përpjekjet për zgjerim dhe zhvillim rajonal”, tha Zanier.
Rektori Dika me anëtarët tjerë të menaxhmentit dhe komisionari Zaner, së bashku me ekipin e tij, bënë një shëtitje në kampusin e universitetit, ku u njohën me zhvillimet e fundit në Parkun teknologjik, Institutin “Maks van der Stoel” dhe në Bibliotekën Universitare.
