“Duke ndjekur këtë fat të bashkëpunimit shumë të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, gjatë gjithë kohës jemi duke i ndjekur trendet në kuadër të Hapësirës së Përbashkët Arsimore Evropiane. Po ashtu, ndjekim edhe kërkesat e tregut ndërkombëtar në drejtim të përgatitjes së të diplomuarve tanë, për ç’gjë para dy javësh Bordi i universitetit, ku gravitojnë edhe përfaqësues ndërkombëtarë, e miratuam Planin Strategjik të Universitetit të Evropës Juglindore për periudhën 2017-2020, të cilin e kemi emërtuar si UEJL 4.0 dhe që korrespondon me zhvillimin teknologjik. Përderisa planin paraprak strategjik e kishim emërtuar 3.0, i cili fokusin e kishte në dije dhe shkathtësi, me planin e ri strategjik ecim përpara, duke tentuar të mishërojmë teknologjinë dhe mënyrat e të nxënit të dijeve dhe kompetencave nga studentët tanë. Në këtë frymë, kemi hapur edhe konkursin për regjistrimin e studentëve në vitin akademik 2017/18, ku për dallim nga universitetet tjera publike që ndoqën trendet e masivizimit, 16 vite kemi mbetur me po aq fakultete sa në fillim, pra 5 fakultete, si Fakulteti i Biznesit edhe Ekonomisë, Fakulteti i Teknologjive dhe Shkencave Bashkëkohore, fakultete këto që ndjekin standardet amerikane të arsimit sipëror, 3 fakultete të domenit publik si, Fakulteti i Drejtësisë, Administrimit Publik dhe Shkencave Politike dhe Fakulteti i Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit, i cili në vete ngërthen komponentin shumëgjuhësor.
Këtë vit, konkursi është i hapur për ciklin e parë dhe të dytë të studimeve”, nënvizoi rektori Dika. Sipas tij, UEJL këtë vit, për herë të parë si një institucion i arsimit të lartë në rajon, aplikon sistemin e ashtuquajtur “të tutorimit”, ku çdo student, i cili do të regjistrohet në Universitetin e Evropës Juglindore, do të ketë një tutor (profesor), i cili do të kujdeset për ecjen akademike dhe karrierën e studentit. Sa i përket bursave që ofron ky universitet, rektori Dika tha se UEJL ndjek një politikë financiare, që secili student që është i shkëlqyeshëm të mos ketë asnjë barrierë financiare për t’u regjistruar në UEJL. “Kemi dizajnuar sistemin e bursave meritore, ku çdo studenti shembullor nga shkolla e mesme me notën mesatare 5.00, Universiteti ia mbulon 50% të pagesës së shkollimit, kurse studentëve që kanë sukses të përgjithshëm në shkollën e mesme 4.5 deri 4.99, Universiteti ua mbulon 30% të pagesës së shkollimit dhe ky standard i bursave vlen për të gjithë studentët nga Maqedonia, Kosova, apo i tërë rajoni”, u shpreh rektori Dika.
