Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Ministria e Arsimit e Maqedonisë dhe ajo e Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me UEJL-në

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Prof. Dr. Zamir Dika, ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë (MASH), Mr. Pishtar Lutfiu dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), i Kosovës, Prof. Dr. Arsim Bajrami, sot (4 maj 2017), në objektin e UEJL-së në Shkup, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshjet e nënshkruara kanë për qëllim thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit sipëror, në veçanti në studimet e akredituara pasdiplomike në programin studimor të përbashkët mes UEJL-së dhe Universitetit të Lubjanës në fushën e Studimeve Evropiane. Për më tepër, marrëveshjet parashohin ofrimin e bursave nga dy ministritë në fjalë për studentët që do të regjistrohen në këtë drejtim studimor dhe të cilët pas përfundimit me sukses të studimeve do të pajisen me diplomë të përbashkët nga dy universitetet, UEJL-së dhe Universitetit të Lubjanës.

Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, shprehu kënaqësinë e tij për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, që do ta përparojnë dhe në të njëjtën kohë edhe do ta thellojnë bashkëpunimin tashmë shumë të mirë mes këtij universiteti dhe ministrive gjegjëse të Maqedonisë dhe Kosovës.

“Qëllimi i këtij programi është që ne si Universitet, bashkë me partnerin tonë, Universitetin e Lubjanës, t’u ofrojmë kuadro të përgatitur administratave të shteteve të rajonit, përmes një programi master profesional për të ngritur kapacitetet integruese që dominohen nga një koncensus politik që ekziston në rajon për integrim në BE. N si Universitet me këtë rast po japim kontributin tonë përmes këtij programi profesional”, tha rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika

Ministri i Arsimit i Maqedonisë, Mr. Pishtar Lutfiu, e theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke veçuar prestigjin dhe cilësinë e mësimdhënies që ofron ky universitet.

“Ky bashkëpunim do të japë frytet e veta duke pasur parasysh se UEJL është një universitet lider në rajon, aq më tepër kur bëhet fjalë për studime evropiane, ku si Maqedonia ashtu edhe rajoni pretendojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe në të njëjtën kohë institucionet arsimore janë ato që promovojnë vlerat evropiane dhe u japin mundësi studentëve që të realizojnë përpjekjet e tyre përmes programeve të këtilla”, Mr. Pishtar Lutfiu, ministri i Arsimit i Maqedonisë.

Me marrëveshjen e nënshkruar nga ministri i MASHT-së së Kosovës, Prof. Dr. Arsim Bajrami, edhe kjo ministri me bursa do t’i përkrahë studentët nga Kosova, që do të regjistrohen në programin e përbashkët studimor Studime Evropiane. Ai, e vlerësoi lart këtë bashkëpunim, i cili me ketë marrëveshje thellohet edhe më shumë duke rezultuar edhe me projekte konkrete.

“Është një program shumë i rëndësishëm për rajonin, sidomos për Republikën Kosovës, të Maqedonisë, etj., program ky i cili do të aftësojë dhe ngritë edhe kuadrot që punojnë në të dy shtetet në procesin e integrimit. Ne do ta mbështesim këtë program për faktin që do të bashkëpunojmë me universitetin për dërgimin e studentëve të cilët janë në administratën publike, duke punuar në procesin e integrimit evropian”, theksoi Prof. Dr. Arsim Bajrami, ministri i Arsimit i Republikës së Kosovës.

Vlen të theksohet se interesimi për këtë program studimor është jashtëzakonisht i theksuar në mesin studentëve, të cilët synojnë karrierë në studimet evropiane.

Google+