Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Ambasadori amerikan Bejli zgjedh UEJL-në për të përcjellur një mesazh të rëndësishëm

Ambasadori Jess L.Baily u tha studentëve të shumtë të pranishëm në këtë debat se thelbi i demokracisë është votimi dhe se të rinjtë duhet më shumë të angazhohen dhe të votojnë. “Ata që dalin në votime të parët janë ata të moshave më të rritur, kurse të rinjtë votojnë shumë më vonë gjatë zgjedhjeve. Ndryshimet dhe zgjidhja e problemeve fillon me votën e lirë dhe të rinjtë duhet të votojnë”


Tetovë, 16 dhjetor - ‘’Përfshirja e të rinjve në zgjedhje dhe në politikë”, solli sot (e mërkurë) në një debat ambasadorin amerikan në Shkup, Jess L.Baily dhe drejtuesit e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, bashkë me stafin akademik dhe studentët. Organizuar nga ana e Këshillit të të rinjve të Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, ky debat pati për temë qendrore “Vakumin rinor në zgjedhje dhe hartimin e politikave” (“Youth Vacuum in Elections and Policy Making”), kurse ambasadori Bejli, duke u ndërlidhur me përfshirjen e të rinjve në zgjedhje dhe në politikë tha: “Për ta adresuar këtë çështje dhe për ta diskutuar këtë temë, nuk ka vend më të mirë se Universiteti i Evropës Juglindore”.

Sa i përket përfshirjes së të rinjve në aktivitetet e ndryshme shoqërore, dhe rëndësisë që ka kjo përfshirje në të gjitha hallkat e zhvillimit shoqëror e social, duke përfshirë edhe politikën, ambasadori Bejli u tha studentëve të shumtë të pranishëm në këtë debat se thelbi i demokracisë është votimi dhe se të rinjtë duhet më shumë të angazhohen dhe të votojnë. “Ata që dalin në votime të parët janë ata të moshave më të rritur, kurse të rinjtë votojnë shumë më vonë gjatë zgjedhjeve. Ndryshimi dhe zgjidhja e problemeve fillon me votën e lirë dhe të rinjtë duhet të votojnë”, tha ambasadori Bejli.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, foli për rolin e Universitetit në krijimin e kulturës së debatit.
“Universiteti i Evropës Juglindore gjatë gjithë kohës mbetet i përkushtuar në ofrimin e një procesi cilësor arsimor dhe shkëlqyeshmërisë në mësimdhënie. Kjo, do t’i përgatisë studentët, që pas diplomimit të jenë të përshtatshëm me standardet demokratike dhe të jenë qytetarë aktiv demokratik të shekullit XXI”, tha mes tjerash rektori Dika.

Me qëndrimet e tyre rreth përfshirjes së të rinjve në zgjedhje dhe vakumit të krijuar, panelistët nxorën në pah nevojën e motivimit dhe krijimit të besimit te të rinjve për t’u angazhuar në procese me rëndësi politike.

“Çështja kryesore në vakumin rinor në zgjedhje është se si t’i zhvendosim të rinjtë nga pozita e trajtimit si masë për duartrokitje në masë aktive, e cila mund të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve në shoqëri”, tha prof. dr. Veton Latifi.

Prof. Dr. Ylber Sela, tha se “universiteti nuk duhet t’i politizojë studentët, ai duhet t’ua mbjellë kulturën politike, diskursin e politikës pragmatike, të vigjilimit ndaj lakeve e devijimeve të politikbërësve”. Ai e përmbylli fjalimin e tij me thënien e Nelson Mandelës: “Arsimi është arma më e fuqishme që mund ta përdorim për ta ndryshuar botën!”, ngase sipas tij, ndryshimi varet nga arsimimi i shëndoshë i studentëve.

Në debat pati edhe pyetje dhe komente nga studentët dhe profesorët e pranishëm, të cilët u interesuan rreth çështjeve aktuale dhe zhvillimeve të fundit politike. Vlen të veçohet Prof. Dr. Rufi Osmani, i cili e vuri theksin në angazhimin më të madh të bashkësisë ndërkombëtare si garancë e vetme e një procesi korrekt, të drejtë dhe demokratik në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Maqedoni.

Google+