Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika, shprehu kënaqësinë që ky aktivitet mbahet në këtë Universitet dhe në këtë objekt, pasi “Ura/Most/Il ponte”, përveç misionit tradicional akademik përbën edhe një komponentë unike në hapësirën e arsimit të lartë këtu e në rajon.
“Bëhet fjalë për një vend në të cilin diversitetet integrohen në një mjedis që ofron standarde të avancuara të dijes bashkëkohore dhe ndërkombëtare. Dhe, ky diversitet, pa dyshim nuk është vetëm i karakterit gjuhësor, kulturor, por edhe arkitektonik. Ky objekt ndodhet në zemrën e arkitekturës historike ballkanike. Integrimii këtij gërshetimi pozitiv kulturor, sot, po provon edhe ndikimin ekonomik të Çarshisë dhe të Qendrës së Shkupit.”, tha rektori Dika.
Fjalimin kryesor në këtë manifestim e mbajti Prof. Francesko Alitmari,nga Universiteti i Kozencës, i cili në mënyrë shumë përmbajtjesore shpjegoi rolin e De Radës, në letërsinë romantike shqiptare. Poeti arbëresh, Jeronim de Rada ka krijuar një vepër gjigante, e cila është aktuale edhe tani.
“Jeronim de Rada edhe pse i takon periudhës së romantizmit në letërsinë shqipe, ai është poet komplekes dhe modern, sepse nëpërmjet personazheve të tij trajton tema bashkëkohore dhe komplekse, që janë aktuale edhe tani në letërsinë evropiane.”
Prof. Mateo Mandala, studiues arbëresh nga Universiteti i Palermos, foli për ndikimin letrar dhe historik të de Radës, në fillimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
“Promovim i lavdisë së të parëve (hershmërisë), që së bashku me gjuhën dhe Skënderbeun do të përbënin një tresh shënues të rëndësishëm të kalendarit tonë historik dhe kulturor njëherësh.”, tha Mandala.
Prof. Françesko Altimari, në vitin 2013 është shpallur Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Evropës Juglindore.