“Diskutim mbi analizën kuantitative për statusin e implementimit të politikave të Marrëveshjes së Ohrit”, ishte tema e tryezës së rrumbullakët, që u mbajt të hënën (17 qershor 2013), në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.
Konferenca u organizua nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i ngarkuar për implementimin e kësaj marrëveshje në Qeverinë e Maqedonisë, Musa Xhaferi, profesorë universitarë dhe njohës të kësaj çështjeje.
Të hapur tryezën e shpalli prorektori për hulumtime i UEJL-së, Prof. Dr. Blerim Reka, i cili tha se qëllimi i kësaj tryeze është që nëpërmjet debatit të jepet kontribut në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, tha se qëllimi kryesor i kësaj tryeze është të ofrohet partneritet me universitetet për të analizuar atë që ne kemi bërë 10 vitet e fundit në implementimin e marrëveshjes së Ohrit.