Me këtë rast, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, ka uruar rektorin Dika për rangimin dhe punën e palodhshme që bëhet në këtë universitet.
“Lajmi që Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) është renditur i dyti në rangimin e universiteteve në Republikën e Maqedonisë, shënon një moment gëzimi dhe inspirimi jo vetë për ju, pedagogët dhe studentët, por edhe për miqtë e universitetit tuaj. Ky vlerësim është dhurata më e bukur, që ky universitet sjell për të gjithë ne në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe aspiratën euro-atlantike të Maqedonisë.”, thuhet në letrën e ambasadorit Çejku.
Në letër mëtej thuhet se ky vendim do ta motivojë UEJL-në për të ecur përpara në ballafaqimin me sfidat e reja për të arritur suksese të mëtutjeshme në rritjen e fuqisë dhe kredibilitetit të institucionit.
“Unë besoj se reformat e brendshme, bashkëpunimi ndëruniversitar që ju keni me universitetet e tjera në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, rajon e më gjerë, do të vijojnë të sjellin sukses. Në këtë kuadër, ripohoj se mbështetja e Shqipërisë nuk do të mungojë dhe shpreh kënaqësinë time për frymën e re të bashkëpunimit mes universiteteve të Maqedonisë me ato të Shqipërisë”, thuhet mes tjerash në letrën e ambasadorit të Shqipërisë Arben Çejku.
Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Zamir Dika, ka falënderuar ambasadorin Çejku dhe Shqipërinë për përkrahen e dhënë.
“Në emrin tim dhe të të gjithë stafit dhe studentëve të Universitetit të Evropës Juglindore, ju falënderoj ju dhe shtetin shqiptar për mbështetjen e parezervë në përkrahje të rrugëtimit tonë drejt edukimit dhe arsimimit cilësor të brezit të ri. Kjo mbështetje e shprehur edhe me këtë rast, na bën krenar për të vazhduar përpjekjet tona të mëtejshme për të ruajtur dhe kultivuar rezultatet tashmë të dukshme”, thuhet mes tjerash në falënderimin e rektorit Dika dërguar Ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku.
