Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Në UEJL filloi java orientuese për studentët e rinj

Në Universitetin e Evropës Juglindore, të enjten (15 shtator 2011), filloi “Java orientuese” për të gjithë studentët e regjistruar në vitin e ri akademik. Në ceremoninë solemne, studentëve mirëseardhje u dëshiroi rektori I këtij universiteti, Prof. Dr. Zamir Dika, prorektori për çështje akademike, Prof. Dr. Poll Foster dhe kryetari i Unionit Studentor, Pajtim Thaçi.

“Të jeni të sigurt se ju, si studentë të Universitetit të Evropës Juglindore, duhet ta ndjeni veten të veçantë. Të veçantë, sepse do të studioni në mjedisin më të bukur në Rajon, me kushte për studim që ia kanë zili edhe mjaft universitete evropiane”, tha rektori Dika. Kështu të veçantë, tha ai, do të ndjeheni gjatë gjithë këtyre viteve të studimit, sepse do të studioni në universitetin ku standardet janë më të avancuarat dhe më evropianet në rajon dhe mund të them me krenari se janë të harmonizuara me sistemin që buron nga procesi i ashtuquajtur i Bolonjës – sinonim ky i reformave më të thella të arsimit të lartë në Evropë.

“Prej jush kërkojmë që të bëheni studentë të mirë, të vyeshëm, të interesuar dhe kuriozë, të pyesni, të jepni vështrimet tuaja kritike dhe të jeni aktiv në mësim. Nëse bashkërisht dhe me përgjegjësi i luajmë rolet tona ashtu siç duhet, atëherë ju siguroj se prej këtij amfiteatri do të dalin liderë të mençur, menaxhues të suksesshëm të bizneseve, profesionistë të dalluar dhe mbi të gjitha qytetarë të denjë të Evropës së re të bazuar në dije”, tha mes tjerash rektori Prof. Dr. Zamir Dika

Studentëve të rinj mirëseardhje u dëshiroi edhe prorektori për çështje akademike, Prof. Dr. Poll Foster, duke i porositi ata të jenë kreativ, të guximshëm, të punojnë shumë, që të kenë një të ardhme të ndritshme.

“Ne, administrata e Universitetit dhe stafi akademik zotohemi se do ta vëmë në radhë të parë interesin tuaj dhe do t’ju ofrojmë shërbime dhe programe akademike të klasit të parë. Kjo, është detyra jonë për ju”, tha prorektori Poll Foster.

Kryetari I Unionit të Studentëve të UEJL-së, Pajtim Thaci, u tha studentëve të rinjë se kjo është zgjedhja më e mirë që kanë bërë në drejtim të investimit në veten e tyre. Ai, I ftoi që të bashkëpunojnë me unionin dhe të bëhen pjesë e aktiviteteve të tyre sepse Unioni është këtu për interesin e tyre.

Gjatë javës orientuese, studentët do të njihen me infrastrukturën e Universitetit, do të pajisen me dokumentet e identifikimit studentor (kartelat ID), do ta përpilojnë orarin dhe do të njihen me këshilltarët për çështje studentore dhe administratën e Universitetit.

Ata, po ashtu do të njihen me shërbimet kryesore të universitetit, si shërbimin studentor, shërbimin e teknologjive informatike, bibliotekën, shërbimin e karrierës dhe me fakultet, ku ata kanë zgjedhur të studiojnë.

Google+