Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

UEJL mirëpret gjeneratën e re: Një hap drejt dijes dhe së ardhmes

Studentë të shumtë, profesorë dhe staf morën pjesë sot në Pritjen Zyrtare të Mirëseardhjes për studentët e rinj, të organizuar në Kampuset e UEJL-së në Tetovë dhe Shkup, duke shënuar fillimin e rrugëtimit të tyre akademik në Universitetin e Evropës Juglindore.

Në fjalën e tij, Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, theksoi se studentët po i fillojnë studimet në një kohë të ndryshimeve të shpejta teknologjike, veçanërisht nën ndikimin e inteligjencës artificiale. Ai i inkurajoi studentët të zhvillojnë mendimin kritik, të bëjnë pyetje, të bashkëpunojnë dhe të jenë të gatshëm për t’u përshtatur me ndryshimet.

Rektori gjithashtu i ftoi ata të jenë pjesë aktive e jetës universitare, përmes projekteve, organizatave studentore, programeve të shkëmbimit, praktikave profesionale dhe aktiviteteve vullnetare. Një mirëseardhje të veçantë ua drejtoi studentëve ndërkombëtarë, duke vlerësuar kontributin e tyre në komunitetin dhe diversitetin e UEJL-së.

Në Kampusin e Shkupit, studentët e rinj i përshëndeti Prorektori për Planifikim, Hulumtim dhe Ndërmarrësi, Prof. Dr. Veland Ramadani, i cili u uroi mirëseardhje në UEJL dhe theksoi rëndësinë e fillimit të këtij kapitulli të ri akademik. Ai i inkurajoi studentët që gjatë studimeve të shfrytëzojnë mundësitë për zhvillim akademik, profesional dhe personal që ofron universiteti.

Në emër të studentëve aktualë, Kryetari i Parlamentit dhe Asociacionit Studentor, Besjan Rexhepi, u uroi mirëseardhje studentëve të rinj dhe i inkurajoi të jenë aktivë, të parashtrojnë pyetje, të provojnë ide të reja dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron universiteti. Ai theksoi se zëri i studentëve ka rëndësi dhe se Parlamenti Studentor është i hapur për t’i mbështetur gjatë rrugëtimit të tyre akademik.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes, studentët vazhduan me takimet e fakulteteve dhe orientimin akademik, ku u njohën me programet e studimit, shërbimet universitare dhe mundësitë e angazhimit në jetën studentore.

Përmes këshilltarëve studentorë dhe ekipeve administrative e mbështetëse, studentët patën mundësinë të marrin informacione praktike dhe të njihen me shërbimet që UEJL i ofron komunitetit studentor.

Google+