Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Gjenerata e XXI hodhi kapelat në Ceremoninë e Absolventëve në UEJL

Të shtunën, më 7 qershor 2025, në kampusin e Universitetit të Evropës Juglindore u mbajt Ceremonia e Absolventëve, ku me emocion dhe krenari kapelat i hodhi gjenerata e XXI me radhë. Në këtë ngjarje madhështore, përveç studentëve, të pranishëm ishin prindër, familjarë, përfaqësues të trupit diplomatik, autoritete lokale, si dhe stafi akademik dhe administrativ i Universitetit.

Në fjalimin e tij, Kryetari i Bordit të UEJL-së, Prof. Dr. Klaus Tochtermann, u drejtua me një mesazh frymëzues për të diplomuarit: “Tani, si të diplomuar, përgjegjësia juaj është të merrni atë që keni mësuar dhe ta përdorni për të bërë një ndryshim domethënës. Lërini njohuritë, aftësitë dhe vlerat që keni fituar në UEJL t’ju udhëheqin në rrugën tuaj përpara dhe t’i frymëzojnë ata përreth jush.”

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, gjatë fjalimit të tij përshëndetës theksoi rëndësinë e diplomës si një pasaportë e fuqishme në tregun global: “Diploma juaj është pasaporta më kredibile edhe për tregun perëndimor – qoftë për të vazhduar ngritjen tuaj akademike dhe profesionale, por edhe për të konkurruar në tregun e punës.” Ai gjithashtu shprehu falënderime për të gjithë mësimdhënësit dhe stafin administrativ, duke theksuar kontributin e tyre në suksesin e përbashkët të Universitetit. Në këtë kontekst, ai njoftoi se pas tre muajsh do të përfundojë mandatin e tij si Rektor dhe do t’i lërë drejtimin udhëheqësisë së re, duke shprehur besimin e plotë në suksesin e tyre të mëtejmë dhe duke ofruar mbështetje të mëtejshme në rolin e tij të ardhshëm.

Atmosfera festive u plotësua nga performanca e grupit muzikor NRG Band, të cilët krijuan një moment të paharrueshëm për të diplomuarit dhe të ftuarit. Himni i studentëve “Zëri i Dijes” u këndua nga profesori dhe këngëtari i njohur Agim Poshka, duke simbolizuar unitetin dhe frymën akademike të UEJL-së.

Një emocion i veçantë u përcoll edhe nga parakalimi i absolventëve të gjashtë fakulteteve të Universitetit, që kaluan me krenari para prindërve, familjarëve dhe të ftuarve. Në emër të studentëve të gjeneratës së XXI, fjalën e mori studentja Njomza Behadini, e cila theksoi se këto vite në UEJL kanë qenë më shumë se një rrugëtim akademik – ato kanë qenë një përvojë e formimit personal dhe profesional. Ajo u shpreh mirënjohëse për mbështetjen e profesorëve, për përvojat e ndara me kolegët dhe për mundësitë që ky universitet i ka ofruar. Tashmë, të përgatitur për kapitullin e ri të jetës, të diplomuarit e UEJL-së janë gati të kontribuojnë në shoqëri dhe të jenë bartës të ndryshimit.

Ceremonia e sivjetme e absolventëve dëshmoi edhe njëherë përkushtimin e UEJL-së ndaj cilësisë, dijes dhe suksesit të studentëve të saj.

Google+