Kjo ngjarje i tuboi së bashku zyrtarë të nivelit të lartë nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe vendet partnere së bashku me përfaqësues të sektorit privat, akademisë, shoqërisë civile dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
Konferenca filloi me një panel hapës të nivelit të lartë, i cili i përfshiu fjalimet kryesore nga kryesuesi i OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani dhe Sekretarja e Përgjithshme Helga Maria Schmid.
“Faleminderit që na u bashkuat në Universitetin e Evropës Juglindore, një Institucion që u themelua me iniciativën e Komisionarit të parë të Lartë për Pakicat Kombëtare të OSBE-së, të ndjerit Max Van Der Stoel, në vitin 2001. Themelimi i këtij institucioni në Maqedoninë e Veriut ofroi mundësi që të forcohet një nga faktorët themelorë përshpejtues për përmirësimin e rolit të grave dhe vajzave, e që është qasja në arsimin e lartë, që shërben si bazë për përfshirjen e tyre më të madhe në proceset e përgjithshme shoqërore dhe vendimmarrëse.”, tha mes tjerash në fjalimin e tij ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Komisari i Lartë për Pakicat Kombëtare i OSBE-së, Kairat Abdrakhmanov, gjatë fjalimit të tij në hapjen e konferencës e falënderoi Rektorin e Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, stafin dhe studentët për prezantimin dinjitoz dhe për zhvillimin e vazhdueshëm të trashëgimisë së ish – homologut të tij, Maks van der Shtul. Komisari Abdrakhmanov, realizoi edhe një takim bilateral me Rektorin Bexheti, me të cilin bisedoi për aktualitet në sferën e arsimit të lartë dhe aktualitete të tjera të interesit të ndërsjellë.
Rektori Bexheti, po ashtu është njëri nga panelistët kryesor në panelin me temë: “Zbutja e efekteve të korrupsionit tek gratë: drejt barazisë ekonomike dhe fuqizimit”.
Konferenca dy-ditore do të ofrojë një mundësi për të rishikuar zbatimin e angazhimeve ekzistuese në lidhje me barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në të gjithë rajonin e OSBE-së, duke marrë gjithashtu një bilanc të arritjeve dhe duke i shqyrtuar rrugët e mundshme përpara.
Po ashtu, do të mbahen tre sesione pune reflektuese të punës së OSBE-së për barazinë gjinore në të tre dimensionet dhe një seancë përmbyllëse. Seancat e punës plotësohen edhe me disa ngjarje anësore.
