COVID-19 Information and Protocol

Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

U mbajt konferenca për mjedisin jetësor – promovohet programi studimor Energji, Ekonomi dhe Ekologji

Energjia, ekonomia dhe ekologjia, ishte tema e konferencës, e cila u mbajt sot (9 qershor 2021), në Universitetin e Evropës Juglindore, në organizim të Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, në të cilën u promovua programi studimor “Energji, Ekonomi dhe Ekologji”.

Në konferencë, në cilësinë e folësve morën pjesë rektori Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi - Halili, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, zyrtari politik dhe ekonomik në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, Endrju Mofat (Andrew Moffat), përfaqësuesi i ASHAM, Aleksandar Dedinec dhe këshilltarja shtetërore për ndryshimet klimatike, Teodora Obradoviç – Grnçarovska.

Konferencën e shpalli të hapur dekania e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, Prof. Dr. Hyrije Abazi - Halili. Ajo i falënderoi të pranishmit, e në veçanti pjesëmarrësit në konferencë për kontributin e dhënë. Ajo prezantoi një vështrim të përgjithshëm lidhur me t.a.q. 3E, pra energjinë, ekonominë dhe ekologjinë dhe dha detaje të shumta lidhur me programin studimor që do të ofrohen në vitin e ri akademik.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti, tha se ideja e promovimit dhe veprimit për mbrojtjen e mjedisit jetësor në universitet është shumë më e hershme, që në vitin 2008, kur edhe është miratuar Plani Aksional Klimaterik. Shumë nga aktivitetet që ne sot i realizojmë janë paraparë në këtë plan.

Rektori Bexheti, i falënderoi përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-ve, të Akademisë së Shkencave dhe ministrin Nuredini, për përkrahjen dhe bashkëpunimin në të gjitha fazat e përgatitjes dhe ofrimit të programit studimor në fjalë.

“Ideja ishte që në një konferencë t’i takojmë bashkë politikbërësit, diplomatët, përfaqësuesit e shkencës dhe gjithë të tjerët, që janë të inkuadruar në këtë bashkëpunim për të diskutuar hapat në të ardhmen dhe promovimion më të gjerë të programit studimor. Qëllimi ynë është që të jemi kontribuues konkret në proceset e ndryshme shoqërore në nivel lokal, por edhe më gjerë në nivel global. Programi studimor paraqet sinergji multidisiplinare dhe ndërinstitucionale dhe në këtë aspekt besojmë se do të krijojmë një bazë të mirë të kapitalit human në këtë drejtim. “, tha në prezantimin e tij rektori Akad. Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini prezantoi lidhur me legjislacionin mjedisor dhe hapat që po ndërmerr Qeveria për mbrojtjen e mjedisit.

“Ky proces është shumë i rëndësishëm, sepse se ne si qeveri mund të miratojmë shumë ligje, por zbatimi i tyre has në vështirësi konkrete në terren. Ne të gjithë besojmë në agjendën e gjelbër dhe për këtë ka shumë fonde, por kemi nevojë për kuadër të kualifikuar. Jam shumë i kënaqur nga ky bashkëpunim, i cili në UEJL fillon në kohën e duhur. “ , tha mes tjerash ministri i Mjedisit Jetësor, Nuredini.

Zyrtari politikë dhe ekonomikë Ambasadën e SHBA-ve, prezantoi për negociatat globale të klimës, historikun dhe mënyrën e ecjes përpara në këto negociata.

“Ndryshimet klimatike po vërehen gjithkund, kurse koha për të ndikuar në përmirësimin e gjendjes dhënë si paralajmërim nga shkencëtarët ka qenë për një periudhë dymbëdhjetë vjeçare. Ne i kemi harxhuar 9 vite dhe kanë mbetur 3 vitet e fundit kur mund të ndikojmë dhe të marrim vendime për të ardhmen e planetit”, tha Mofat.

Për temën “Energjia dhe ndryshimet klimatike”, prezantoi përfaqësuesi i ASHAM, Aleksandar Dedinec, kurse për temën “Qëndrueshmëria mjedisore dhe klimatike”, prezantoi këshilltarja shtetërore për ndryshimet klimatike, Teodora Obradoviç – Grnçarovska.

Konferenca u mbajte në ambient të hapur, në hapësirën para Rektoratit, për të përcjellë edhe porosinë e konferencës për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Google+