COVID-19 Information and Protocol

Login

Anëtarët e stafit duhet të përdorin llogarinë e tyre Webmail për identifikim.

Universiteti i Evropës Juglindore
jetëso dijen tënde!

Konferencë ndërkombëtare për sfidat dhe perspektivat në qeverisjen në sektorin publik

Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në organizim të Fakultetit të Shkencave Shoqërore dhe Institutit “Maks van der Shtul” , më 4-5 maj 2018, u mbajt konferenca ndërkombëtare me temë “Qeverisja në Sektorin Publik: Sfidat dhe Perspektivat" .

“Për Universitetin e Evropës Juglindore konferencat e këtilla në vetvete përbëjnë edhe një sfidë për të kapur trendet moderne të organizimit dhe planifikimit të qeverisjes, ndaj kontributi i juaj do të jetë edhe një ndihmesë që kjo gatishmëri e jona të ketë efekte përcjellëse të një dimensioni shumë të rëndësishëm që ka universiteti i ynë ndaj shoqërisë në afrimin dhe afirmimin e përvojave më të mira ndërkombëtare të qeverisjes.”, tha rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Zamir Dika.

“Republika e Maqedonisë, e mori vlerësimin pozitiv dhe rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si rezultat i punës së palodhshme të të gjitha institucioneve, e në veçanti edhe si rezultat i punës së palodhshme të administratës publike”, tha në fjalimin e tij, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi. AI theksoi se këto reforma po bëhen për arritjen e mirëqenies së qytetarëve, për krijimin e kushteve dinjitoze për jetë dhe punë.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, në Qeverinë e Maqedonisë, z. Damjan Mançevski i prezantoi të dhënat për numrin e institucioneve të administratës publike, duke theksuar rëndësinë e realizimit të reformave. Ai tha se Maqedonia, është i vetmi vend në rajon, që ka hartuar strategji për reformat në administratë.

“Të Gjitha këto reforma nuk do të kenë kuptim, pa digjitalizimin e administratës. Ne nuk do ta sjellim qytetarin te institucionet, por institucionet do t’i sjellim afër qytetarit”, tha ministri Mançevski.

Prorektorja për çështje akademike e UEJL-së, Prof. Dr. Lejla Abazi e theksoi rolin që ka universiteti në funksion të shërbimit ndaj shoqërisë.

“Që nga themelimi UEJL ka qenë dhe është i përkushtuar për t’i ndihmuar administratës dhe për këtë qëllim e formoi Fakultetin e Administratës Publike”, tha prorektorja Lejla Abazi.

Si ambasador i Sllovenisë në Maqedoni kam një bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore dhe Universitetin e Evropës Juglindore dhe disa herë kam marrë pjesë në aktivitete që organizohen këtu, tha ambasadori slloven Sh.T. Milan Jazbec. Lidhur me temën e konferencës, ambasadori Jazbec tha se që të funksionoj si duhet administrata nuk duhet të ketë ndërhyrje politike.

Përfaqësuesi i USAID në këtë konferencë, Edvard Gonzales, tha se ndjehet i privilegjuar që është i pranishëm në UEJL dhe në këtë konferencë të rëndësishme.

“Ne mendojmë se një administratë funksionale dhe demokratike duhet të niset nga parimi i gjithpërfshirjes, efikasitetit dhe transparencës”, tha Gonzales.

Ushtruesi i detyrës së përgjegjësit të Misionit të OSBE-së në Shkup, Xhef Goldstajn, në cilësinë e folësit kryesor të konferencës, e theksoi rëndësinë e përgatitjes së studentëve, si bartës të reformave.

“Studentët janë e ardhmja jonë dhe ata nesër do të jenë bartësit kryesor të institucioneve publike. Që administrata shtetërore të funksionoj duhet paraprakisht të sundoj ligji, kurse sfida kryesore është ndryshimi i mentalitetit të shoqërisë”, tha Goldstain.

Këshilltari i rektorit, Doc. Dr. Demush Bajrami, tha se kjo konferencë, do të jap kontributin në drejtim të reformave të paralajmëruara.

“Kjo konferencë në thelbin e shtjellimit të saj pritet të ofrojë mundësi për një reflektim mbi sfidat dhe perspektivat në arritjen e parimeve të qeverisjes së mirë në sektorin publik, duke çuar ose ndihmuar në një reformat e suksesshme të administratës publike dhe jo vetëm.”, tha Doc. Dr. Demush Bajrami.

Konferenca punimet do t’i zhvilloj në sesione të veçanta edhe gjatë ditës së shtunë (5 maj)., kurse në përfundim të saj, të gjithë pjesëmarrësit, do të pajisen me certifikata.

Google+